Basha: Marrëveshja e 18 majit
dështoi, Rama armik i zgjedhjeve

Basha: Marrëveshja e 18 majit<br />dështoi, Rama armik i zgjedhjeve
Lulzim Basha në takimet me demokratët e Kukësit, Hasit e Tropjës, dhe të Njësisë 7 në Tiranë, e vuri theksin tek deformimi i vullnetit të qytetarëve me 25 qershor, përmes shitblerjes së votës, me paratë e krimit dhe drogës, dhe keqpërdorimit të makinerisë shtetërore.

Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme do të vazhdojë deri në fund, tha Basha, duke shtuar se vetëm PD e ka sot moralin për ti prirë kësaj kauze.
 
“25 qershori vërtetoi se lufta kundër krimit në politikë, lufta kundër drogës dhe beteja për zgjedhje të lira e të ndershme ishin kauza të drejta dhe më të rëndësishme për Shqipërinë sot. Kush i luftoi këto kauza? Kush u përball me këto kauza? Vetëm Partia Demokratike, vetëm demokratët. Në ditët, muajt kur skeptikët nuk guxonin të pranonin apo të shqiptonin, problemin e thellë të krimit në politikë me autorizim dhe bekim të Edi Ramës, demokratët u ngritën, dhe ne u përballëm me drogën kur askush nuk guxonte të fliste për të.

Me drogën, si projekt politik të Edi Ramës dhe kriminelëve që solli në institucione, pikërisht për të mbuluar dështimin e tij me ekonominë dhe për të përgatitur atë që ekzekutoi me 25 qershor. Ndaj beteja kryesore që ne duhet të vazhdojmë sot pavarësisht se çfarë ndodh brenda shtëpisë tonë është beteja për demokracinë. Sepse njësoj si në ’91-in, nuk ka humb vetëm Partia Demokratike, ka humb demokracia, kanë humbur shqiptarët, ka humbur Shqipëria”
, u shpreh Basha.

Lulzim Basha foli për projektin dhe sfidat që presin përpara.

“Ju siguroj që do të vazhdoj t’ju shërbej me sakrificë totale, çdo sekondë të drejtimit tim, duke luftuar me ju dhe për ju, dhe për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, me të gjithë demokratët e bashkuar në një betejë e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër, përveç fitores së të drejtës, zgjedhje të lira e të ndershme e përmes tyre, fitores së projektit tonë”, tha Basha.

“Dalim nga kjo garë me kokën lart si e vetmja forcë morale që nuk u përlye në shit-blerje, që nuk u përlye në krim, që ofroi Shqipërisë rrugën e daljes. Dhe sot Shqipëria është pa rrugë dalje. Nuk ka ça të festojë Edi Rama, s’ka as shpresë, as besim, as entuziazëm as te grupi i tij i ngushtë, se nuk ka rrugëdalje njësoj si në ’91-in. Nuk ka dritë në fund të tunelit të tij, as për ekonominë, as për makrofinancat e shtetit, as për rininë, as për pensionistët, nuk ka. Në radhë të parë kemi kurajon tonë, moralin tonë politike, kemi vizionin tonë europian të qendrës së djathtë me vlerat tona. Por që ta ofrojmë këtë duhet patjetër të fitojmë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme”, pohoi Basha.

Lulzim Basha theksoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje, asnjë pakt me partitë që blenë, e manipuluan votën e shqiptarëve.

“Betejë e cila nuk mbaron me kaq, marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”, deklaroi Lulzim Basha.

Selami: Basha model i dështuar, PD e izoluar nga ndërkombëtarët
Kandidati për Kryetar të PD, Eduard Selami, në turin e takimeve me demokratët në Kukës, Has dhe Tropojë, bëri thirrje për hapjen e një dialogu me gjithë shtresat dhe qytetarët, për ta kthyer Partinë Demokratike në një parti popullore jo thjesht të qendrës së djathtë por dhe më gjërë. Selami tha se Partia Demokratike ka emergjencë rikthimin e besimit tek ndërkombëtarët, duke theksuar se me përjashtim të vitit 1997, lidershipi aktual është më i izoluar se kurrë.

“Hajde të hapim një dialog vlerash me gjithë shtresat dhe qytetarët, ta kthejmë PD në një parti popullore jo thjesht të qendrës së djathtë por dhe me gjërë.Të rikthejmë besimin me partnerët tanë ndërkombëtarë që sot nuk e kemi. Me përjashtim të vitit 97, lidershipi i PD sot është më i izoluar se kurrë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Na dolën kundër në mnyrën më flagrante për shkak të gabimeve tona”, tha Selami.

Selami i kërkoi ndjesë për braktisjen e padrejtë që iu është berë shtresave si ish të përndjekurve dhe ish pronarëve dhe premtoi se do ndjekë një politikë krejt ndryshe për rikthimin e tyre. Rinia është në qendër të platformës së Selamit.

“Do ti kërkojmë ndjesë e do ti rikthehemi shtresave të persekutura, të perndjekurve poltik. Jemi shkëputur prej tyre, edhe ish pronarëve , po kështu dhe rininë. E shikojmë shumë pak rininë! Pse?Sepse nuk arrimë ti japim shpresë. Më thonë që rinia nuk është ajo e viteve 90’. Jo nuk ka ndryshuar aspak, por ne nuk mund ta tërheqim rininë vetëm me traditën krenare të luftës kundër komunizmit! Ti rininë mund ta tërheqësh sot me një nivel konkurues dhe bashkëkohorë, mund ti ofrosh një të ardhme më të mirë këtu, ti ofrosh mundësinë ta bëjmë shqipërinë sëbashku, ti ngushtosh distancën me perëndimin” , tha Selami.

Në takim me demokratët e veriut, Selami tha se Basha perfaqëson një model të dështuar.

“Kur u ktheva nga Amerika ne vitin 2013, kam qënë shume afër vendosjes së kandidaturës për kryetar partie. Por u takova me zotin Basha, dhe i thashë kush ishte ambicja ime, pikërisht ta ktheja PD, në parti bashkohore, të ktheja demokracinë. Pa mbaruar une, zoti Basha, vazhdonte fjalinë time. Dhe me të vërtetë e kam falenderuar. Thashë sa mirë një i ri i edukura jashtë, vjen për të kontribuar. Thashë hajde ta bëjmë sebashku dhe tërhoqa kandidaturën, sepse mendoja që kandidatura e Bashës është më e mirë në atë kohë, por gjerat rrodhën ndryshe”, tha Selami.

Eduard Selami, beson se nga kjo garë Partia Demokratike do të dalë më e fortë dhe do të ngrihet në nivel më të lartë për ta kthyer Shqipërinë në histori suksesi.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik