Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ishte i qartë kur tha se të gjithë kandidatët e PD do t'i nënshtrohen procesit të Vettingut, në mënyrë që lista e opozitës në këto zgjedhje të jetë e pastër.
Por për kreun e PD, përveç kësaj, kushdo mund të garojë në një proces të hapur duke aplikuar në faqen online të PD.
"Kandidatët e Partisë Demokratike, lista e kandidatëve të cilën unë do të kem nderin t’i kryesoj në këtë betejë për një Shqipëri ndryshe dhe për një ndryshim në Shqipëri, do t’i nënshtrohet një proçesi vetingu, kontrolli të imtësishëm, sipas standardeve më strikte dhe praktikave më të avancuara amerikane, me ekspertë të cilët kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me mua dhe përmes këtij bashkëpunimi, dhe në bashkëpunim me Komisionin e Kontrollit të Integritetit dhe Etikës drejtuar nga Dr.Halim Kosova, do të bëjmë të mundur që çdo demokrate dhe demokrat, anëtar kartëmbajtës i Partisë Demokratike, të flejë i qetë, dhe të jetë i qetë dhe ballëlart, se kandidatët e Partisë Demokratike, janë të pastër si kristali.
Një proçes vetingu i hollësishëm, që shkon përtej kërkesave të vetingut për drejtësinë, përtej kërkesave të ligjit për dekriminalizimin, që përfshin natyrisht edhe vetingun e të kaluarës në diktaturë, dhe që siguron një listë dinjitoze, përfaqësuese të aspiratave më të mira të të rinjve shqiptarë, të nënave dhe baballarëve, të gjysheve dhe gjyshërve dhe të brezave që vijnë.
Të mos bëjmë asnjë gabim, zonja dhe zotërinj të kryesisë. Kjo është një pikë kthese fondamentale, jo thjeshtë me potencialin, por me detyrën për të eliminuar plotësisht çdo njollë kriminaliteti, korrupsioni, apo bashkëpunimi me organet e diktaturës nga lista e ardhshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Asnjë surprizë, përveç vullnetit të pastër të qytetarëve, të anëtarëve, simpantizantëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, kapaciteteve më të mira profesionale, vlerave më të larta njerëzore, morale, shoqërore dhe patriotizmit. Këtë pres, këtë kërkoj, dhe këtë do të arrijmë, përmes një proçesi të tillë, të vetingut të plotë të listës së ardhshme të kandidatëve të Partisë Demokratike", u shpreh Basha.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com