Basha mbledh departamentet:
Mblidhni materiale dhe denonconi

Basha mbledh departamentet:<br />Mblidhni materiale dhe denonconi
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me krerët e departamenteve në PD, për të analizuar gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me situatën e trafikimit në Shqipëri.

Në takimin e Bashës kanë marrë pjesë drejtuesit e departamenteve të marrëdhënieve me jashtë, i Integrimit Europian, Laura Vorpsi dhe Politikës së Jashtme, Kreshnik Çollaku si dhe ai i të Drejtave të Njeriut, Ervin Salianji, dhe i Rendit Publik dhe i Sigurisë, Bashkim Shehu.

Dy ditë pas publikimit të raportit vjetor të DASH, për trafikimin e qenieve njerëzore, ku e cilëson Shqipërinë si një vendburim për trafikimin e burrave, grave e fëmijëve dhe ku konstaton më tej se një deputet është dënuar për veprën penale të trafikimit njerëzor, mësohet se Basha ka kërkuar nga drejtuesit e departamenteve të shfrytëzojnë gjetjet e raportit për t’i bërë oponencë qeverisë, por edhe për të informuar partnerët ndërkombëtarë.

Krahas raportit të DASH, një qëndrim po aq i fortë ka ardhur edhe nga ambasada e SHBA në Tiranë, ku duke vlerësuar raportin vjetor, thuhet se “është e turpshme për Shqipërinë që në Parlament ka një anëtar të dënuar për trafikimin e njerëzve”.

Në këtë drejtim, kreu demokrat ka patur porosi të veçantë për departamentin e Politikës së Jashtme dhe atë të Integrimit Europian, për ta ngritur çështjen e dekriminalizimit në përfaqësitë europiane dhe më gjerë. Krahas dekriminalizimit të parlamentit, gjatë vjeshtës PD pritet të kërkojë me insistim largimin e disa kyebashkiakëve, që sipas selisë blu, janë të përfshirë dhe të dënuar për vepra të rënda kriminale në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas demokratëve, shqetësimi i shprehur tashmë zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se në parlamentin shqiptar ka të inkriminuar, aq sa kjo e dhënë është përfshirë edhe në raportin vjetor të Uashingtonit, është një kambanë alarmi për parlamentarizmin dhe demokracinë në Shqipëri. Gjithashtu, Basha ka kërkuar edhe nga departamenti i të Drejtave të Njeriut si dhe ai i Rendit Publik e i Sigurisë, që të denoncojnë çdo të dhënë për trafikimin e qenieve njerëzore, rritjen e krimeve dhe mungesën e rendit e të sigurisë publike në vend.

Partia Demokratike pritet të intensifikojë gjatë vjeshtës aksionet e saj politike kundër qeverisë. “Stina e protestave”, siç ka paralajmëruar Lulzim Basha, do të ketë si kauzë dekriminalizimin, standardet zgjedhore, varfërinë dhe korrupsionin.   


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës