Nëse kjo kohë nuk i jepet, atëherë opozita do të dalë menjë qendrim të prerë kundër këtij "provokimi dhe arrogance, që nxisin konfliktin".
Partia Demokratike i mblodhi në orën 18:00, aleatët e saj dhe më pas doli me një qendrim zyrtar të unifikuar, që e bëri publik, në emër të të gjithë kryetarëve të partive aleate në Kuvend, kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Në krah të tij gjatë konferencës për shtyp ishin Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe të tjerë.
Për të njejtin problem, diskutimin e nesërm në Kuvend të Programit dhe qendrimin përballë opozitës, edhe PS-ja mblodhi sot në orën 18:00, Grupin e saj Parlamentar, por pa dhënë asnjë deklaratë.
BASHA: OPOZITA E UNIFIKUAR KERKON TRANSPARENCE PER PROGRAMIN E QEVERISJES
Në deklaratën e tij, Basha tha: “Sot në selinë e PD-së kam mirëpritur, kryetarët e partive parlamentare të opozitës, me të cilët kemi diskutuar disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit në aktivitetin tonë si opozitë parlamentare dhe më gjërë.
Në krye të rendit ka qënë, siç mund ta kuptoni, problemi që fatkeqësisht është shkaktuar paradite në raport me punimet e Kuvendit dhe konstituimin e plotë të tij dhe Qeverisë së re.
Sot opozita del me një qëndrim të unifikuar, që duam t’ia bëjmë të ditur, qytetarëve shqiptarë e që ka të bëjë me një nga interesat më të rëndësishme të çdo demokracie, interesin për transparencë dhe llogaridhënie.
Sjellja arrogante dhe konfliktuale e përfaqësueve të mazhorancës paradite, refuzimi për të kryer detyrën e tyre në raport me Kushtetutën dhe qytetarët, transparencën dhe llogaridhënien, është një problem i çdo qytetari.
Ne konstatojmë një mungesë të theksuar serioziteti tek Kryeministri i dekretuar, që prej më shumë se një muaji ka marrë kohë publike për të publikuar lloj- lloj emërimesh, seminare konferenca të kabinetit në pritje, pa bërë asnjë moment, transparencën e programit të qeverisje.
Sot jemi në një moment kur kjo mungesë serioziteti përkthehet në shkatërrim të transparencës,"- theksoi Basha.
"JEMI KURIOZE TE DIME SI DO BEHEN LEGALIZIMET, SHENDETESIA FALAS, ULJA E TAKSAVE"
Kryedemokrati vuri në dukje arsyet pse ky diskutim kërkon kohë, që nuk mund të jetë dita e nesërme: "Si çdo qytetar shqiptar, edhe ne, jemi kuriozë të dijë pa asnjë paragjykim se çfarë qëndrimesh do mbajë kabineti “Rama” në raport me premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale; jemi kuriozë të dimë si do të bëhen legalizimet falas, shëndetësia falas, ulja e taksave për 95% të shqiptarëve, heqja e tvsh-së për “shportën” etj.
Të jeni të sigurtë se nëse një program serioz paraqitet për t’u mbështetur, opozita nuk do ngurrojë të japë kontributin e vet, por fakti është se që në momentin e parë po i iket këtij komunikimi nëpërmjet një konflikti arrogant.
Sot në parlament u fol për vlera e komunikim të ri, ndërsa pasdite u vunë në veprim mentalitetet e vjetra dhe gjuha e vjetër konfliktuale u zgjodh për komunikim.
"OPOZITA I KERKON RAMES TE TERHIQET NGA PROVOKIMI, NDRYSHE DO MBAJE NJE QENDRIM TE PRERE"
I kërkojmë të tërhiqen sa nuk janë vonë nga këto qëndrime, që nuk janë në përputhje me parimet e BE-së dhe praktikat e mira që janë zotuar.
Nëse nuk reflektojnë në raport me qëndrimin e papranueshëm, me atë “ black out”, atëherë opozita do mbajë qëndrimin e saj të unifikuar dhe të prerë për këtë akt të papranueshëm.
I bëjmë thirrje që të shmangin konfliktualitetin dhe provokimet e t’i rikthehen normalitetit duke na siguruar kohën e nevojshme, të barabartë me kohën që ne u dhamë kur ishin minorancë, me qëllim që të kemi pyetje e përgjigje mbi premtimet që u janë dhënë qytetarëve.
Qëndrim i unifikuar do të thotë se jemi gati të ndërmarrim çdo hap e veprim për parimet me qëllim që të gjejmë gjuhën e përbashkët,”- përfundoi Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Redaksia online
(Shqiptarja.com)