TIRANE - Në orën 15:30, kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe ambasadori amerikan Arvizu mbyllën takimin e nisur rreth një orë më parë në selinë e re të PD-së. Pas takimit, Basha dhe Arvizu deklaruan për mediat se folën për procesin zgjedhor dhe rolin e PD-së tashmë në opozitë. Ambasadori Arvizu nuk mungoi të sqarojë edhe faktin se takimi i tij i tij i parë me Bashën ishte parashikuar për në selinë e mëparshme të PD-së dhe vizita e tij në SHQUP, godinën e debatueshme, nuk kishte lidhje, pasi ajo çështje i përkiste ligjit.

Basha tha se "sot, kam pritur në seline e re të Partisë Demokratike, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Alexander Arvizu dhe bashkëpuntorët e tij, Zv. Ambasadorin Z. Jardine dhe dy bashkëpunëtorë të rinj, që sapo kanë mbërritur në Tiranë Është takimi im i parë me të në detyrën time si Kryetar i Partisë Demokratike dhe me këtë rast shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë çështjesh që nga procesi zgjedhor i 23 Qershorit, perspektiva e Partisë Demokratike mbi të ardhmen e vendit dhe çështje të rëndësishme të integrimit Europian dhe bashkëpunimit Euro-Atlantik si dhe roli i Partisë Demokratike si një opozitë e forte ballore, krijuese dhe moderne në mbrojtje të interesit publik, në mbrojtje të interesit të qytetarëve Shqiptarë."

Ambasadori Arvizu nga ana e tij deklaroi: "Dua ta falenderoj z.Basha për bashkëpunimin afatgjatë dhe dëshiroj që ai të vazhdojë dhe në të ardhmen. Folëm gjithashtu për synimin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve, që është Bashkimi Europian.

Folëm  për një proces që është shumë i rëndësishëm për PD-në si opozitë dhe metaforikisht, "në krye të autobusit duhet të jenë të gjithë". Dua të vlerësoj gjithashtu vendndodhjen ku jemi takuar sot, selinë e PD-së. Çështja e kësaj prone ka qënë subjekt i polemikave të ndryshme, por SHBA nuk marrin anësi kundrejt saj; ne këshillojmë përmbajtje ndaj shtetit ligjor dhe objektivitet. Ky takim ishte parashikuar më herët, në selinë blu. Pasi z.Basha u zgjodh kryetar i PD-së, pata mundësi ta përgëzoj, tani edhe ta takoj si kryetar. Më pas, mësuam se PD-ja ishte zhvendosur këtu dhe kjo shpjegon arsyen pse ndodhemi këtu."
 
ORA 14:30, ARVIZU PRITET TEK SELIA E RE E PD, NE SHQUP

Në orën 14:30, i përpiktë si gjithmonë Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu mbërriti në selinë e re të PD-së, për tu takuar me kryetarin e ri Lulzim Basha. Ky është takimi i parë në selinë e re të kësaj partie e cila nga sot është zhvendosur tek godina e njohur si Shtëpia Qendrore e Ushtrisë.  Në hyrje të selisë Arvizu u prit nga deputeti i PD-së Gerti Bogdani.

Takimi  zhvillohet në një periudhë kur eksponentë të Partisë Demokratike sulmuan ambasadorin pas deklaratave të bëra nga ai se zgjedhjet e qershorit ishin po aq të rëndësishme sa ato të 1992.

Fillimisht takimi mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ambasadorit amerikan u informua nga zyra e shtypit e PD-së më pas zyra e shtypit e ambasadës së SHBA-së konfirmoi për A1 Report takimin.

PD ZHVENDOSET TE SHQUP, KANGJELLAT LYHEN ME NGJYRE BLU

Administrata e PD ka nisur që prej ditës së sotme të zhvendoset drejt asaj që deri pak ditë më parë njihej si Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë. Mëngjesin e sotëm janë lyer me ngjyrat bardhë e blu kangjellat rrethuese, ndërsa është vendosur edhe flamuri i PD.

"Evakuimi” i materialeve për zyrat e reja është në përfundim, për shkak dhe të faktit se selia aktuale e PD është vënë në dizpozicion të bashkisë për ta përdorur për nevojat e veta.

Burimet brenda selisë blu bëjnë me dije se takimi i administratës së PD për herë të parë do bëhet sot në selinë e re në SHQUP për të vijuar më pas normalisht punën tashmë që demokratët janë në opozitë.

Pavarësisht se ende nuk është bërë ndarja definitive e zyrave për zyrtarët e lartë dhe strukturat në PD, mësohet se kati i dytë do jetë në dizpozicion të kryetarit Basha, ish-kreut Berisha, nënkryetarëve, sekretarëve dhe përfaqësuesve të tjerë. Në anën e majtë të godinës do të jetë zyra e shtypit dhe redaksia e gazetës “RD”, ndërsa në anën e djathtë me pamje nga ‘Lana’ dhe kryeministria do jenë ngjitur zyrat e Berishës dhe Bashës. Ndërkohë që nga dje godina e SHQUP ka marrë pamjen e një selie partie, teksa në oborrin e saj janë vendosur përpos flamurit kombëtar, të BE e të NATO-s dhe flamuri i PD.

Nga ana tjetër, teksa është larguar nga ish-selia e tashmë e SHQUP dhe ushtari i fundit i gardës, demokratët kanë filluar të rehabilitojnë ndërtesën prej nga ku do zhvillojnë opozitën në 4 vitet e ardhshme. Ndërsa në oborrin përpara selisë së re të PD ka filluar puna për pastrimin e tërë ambienteve përreth, duke filluar me pastrimin dhe rregullimin e ambienteve te jashtme ndërkohë po punohet intensivisht me rregullimin dhe përshtatjen e zyrave dhe sallave, zvogëlimin e këtyre të fundit dhe ndarjen sipas sektorëve.

Rregullimet po përqëndrohen tek sistemimi i oborrit dhe gjelbërimit, duke krasitur degët e pemëve të tepërta dhe hapur pamje nga Lumi i Lanës, ndërkohë që brenda ka filluar lyerja e ambienteve dhe futja e mobiljeve të zyrave njëkohësisht dhe sistemimi i tyre. Burime brenda Partisë Demokratike bëjnë të ditur se, pavarësisht faktit që sot do zhvillohet mbledhja e parë në sallën e përshtatur për mbledhje në selinë e re, zhvendosja dhe transferimi në selinë e re do të bëhet përfundimisht javën e ardhshme, për t’u mbyllur në një kohë sa më të shpejtë dhe që përkon me fazën e parë të rikonstruksionit të ish-godinës së SHQUP tashmë seli e demokratëve.

Edhe pse sipas zyrtarëve të PD ish-ndërtesa e SHQUP ka nevoje për rikonstruksion të thellë për t’iu përshtatur nevojave të një partie politike, PD do mjaftohet ne fillim me një rehabilitim të thjeshtë të godinës dhe në një kohë të dytë do shihet mundësia për ndryshime më të thella në strukturën e godinës. I gjithë ky nxitim i PD për të hyrë në selinë e re me sa duket ka lidhje me mbledhjen e Kuvendit të ri më 9 shtator dhe konstituimin e maxhorancës së re që është shprehur kundër kalimit të SHQUP në seli të PD.

arvizu
(Në foto, takimi i sotëm i Ambasadorit Arvizu dhe kryetarit të PD, Basha, në selinë e re të PD-së)

ish-shqup 
(Në foto, selia e PD-së sot)

kangjellat e ish-shqup
(Në foto, kangjëllat në hyrje të ish-Shqup të lyera sot me ngjyre blu)

Redaksia Online
(jm.sg/shqiptarja.com)