TIRANË, 3 Korrik/ATSH/- Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie në Dibër, nga ku vlerësoi alternativat e ofruara nga kandidatët në garat për drejtues anembanë vendit si vlerë për partinë dhe për vendin.
Pa alternative nuk ka vlerë, tha Basha, ndërsa solli në vëmëndje dështimin e çdo premtimi të bërë nga maxhoranca dhe emërimin në poste drejtuese në administratë të personave me precedent kriminal.
"U turrën të rrejnë e të gënjejnë për 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, legalizim falas rend brenda 300 diteëve. Kjo është arsyeja sepse po vërshojnë kriminelët e po emërohen në poste drejtuese", tha Basha.
Sipas tij qytetarët po përballen sot me papunësi në rritje, varfëri , pasiguri për jetën, me mungesë shprese për të ardhmen. Në këtë situatë kryetari i Partisë Demokratike tha se është detyrë e PD-së e t'u përgjigjet shpresave që qytetarët kanë sot te kjo parti për mirëqënie, zhvillim dhe integrim./a.gegvataj/