Basha në Këshillin e Europës thirrje 5 vendeve të BE: Njihni pavarësinë e Kosovës! Lufta në Ukrainë, ‘kambanë’ për të pasur prioritet paqen e stabilitetin

Basha në Këshillin e Europës thirrje 5 vendeve të BE: Njihni pavarësinë e Kosovës! Lufta në Ukrainë, ‘kambanë’ për të pasur prioritet paqen e stabilitetin

Lulzim Basha

TIRANË- Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në mbledhjen Këshillit të Evropës, në të cilën është diskutuar edhe për tensionet më të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Basha ka pasur një thirrje të drejtpërdrejtë për 5 vendet e Bashkimit Europian që nuk e njohin ende Kosovën. Përballë agresionit rus ndaj Ukrainës, Basha u ka kërkuar atyre që ta njohin pavarësinë e Kosovës, pasi lufta është një ‘kambanë’ që tregon se tashmë duhet t’i jepet prioritet paqes dhe stabilitetit të Europës. Sipas Bashës, duke u bërë pjesë e unionit edhe Ballkani Perëndimor sjell në BE më të fortë.

“Kam një thirrje edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 15 vjet pas pavarësisë së saj dhe një vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha për të vënë të parën paqen dhe stabilitetin, paqen dhe stabilitetin tonë, paqen dhe stabilitetin e Evropës. Kosova, është një rast “sui generis”, dhe do të ishte gabim i rëndë për çdo vend që të hiqte paralele me situata të tjera. Ajo që po ndodh sot në Ukrainë është një kambanë që bie për secilin prej nesh për të parë përtej interesave të sotme.

Një Ballkan Perëndimor në NATO, një Ballkan Perëndimor në BE do të thotë një Evropë më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë”, tha Basha.

Ndalur në tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, Basha pati një falënderim për SHBA dhe BE-në për gatishmërinë që kanë treguar që të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve. Basha theksoi se sa më shpejt që ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës aq më mirë do të jetë për të ardhmen e të gjithë rajonit, por edhe për shqiptarët e serbët. Basha bëri thirrje edhe që Kosova të bëhet pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm në zemër të Evropës. Sa më shpejt që ky realitet të përqafohet nga të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë, aq më mirë do të jetë, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës, si serbë ashtu edhe shqiptarë, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e gjithë rajonit tonë, për të përqendruar përpjekjet dhe vizionin tonë për të siguruar një jetë më të mirë për të rinjtë tanë në vendet tona. Fatkeqësisht, siç tregojnë ngjarjet e fundit, edhe sot disa ende mendojnë se retorika nacionaliste do t'i ndihmojë ata ta mbajnë pushtetin përjetësisht. Të tjerë e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara e përgjakshme. Megjithatë, këto dilema nuk mund të mbajnë peng të ardhmen e rajonit. Ata nuk duhet të mbajnë peng të ardhmen evropiane të Serbisë.

Nëse përfaqësuesit e Serbisë sot këtu janë të shqetësuar për të drejtat e minoritetit serb të Kosovës, atëherë le t'i bashkojmë përpjekjet së bashku dhe ta mirëpresim Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, duke lejuar mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave që ofron ky institucion i nderuar për të gjithë anëtarët e saj”, tha Basha.

Në fund, Basha e mbylli me një urim për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili feston sot ditëlindjen.

“Më lejoni të përfundoj, zonja Kryetare, duke i uruar sot Presidentit Zelensky: Gëzuar Ditëlindjen, duke i uruar fuqi dhe mbarësi, dhe duke e falënderuar për udhëheqjen e tij. Slava Ukraini”, tha Basha.

Pesë janë vendet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!