Basha në Qesarakë: Na votoni që të fusim ekonominë në një cikël pozitiv! Modeli ekonomik i Ramës, për oligarkët

Basha në Qesarakë: Na votoni që të fusim ekonominë në një cikël pozitiv! Modeli ekonomik i Ramës, për oligarkët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me qytetarë dhe biznese në zonën e Qesarakës. Kryedemokrati tha se rënia e konsumit edhe tek furrat e bukës është treguesi i parë i kësaj krize, ku përpos mungesës së ndihmës, ato duhet të përballen edhe me gjobat e shtetit. Basha tha se 25 prilli është ndryshimi për ekonominë, për njerëzit dhe për bukën e gojës së tyre.

“Tani po të them, 25 prilli nuk bëhet për partitë, bëhet për ekonominë, bëhet për njerëzit, bëhet për familjet, bëhet për bukën e gojës së tyre. 25 prilli do të jetë dita kur me votën tuaj për ndryshim do të votoni për një shtet që në vend që t’ju trajtojë ju si lopë për t’u mjelë  e veten e vet si pronar, do t’ju trajtojë ju si partnerë në zhvillimin e vendit. Në qoftë se ju arrini të krijoni të ardhura çfarë do të bëni? Do të hapni një furrë tjetër. Do të punësosh edhe 2,3 zonja të tjera, pra do të rrisësh punësimin, do të rrisësh mirëqenien, do të rrisësh pagat të cilat në vetvete rrisin konsumin. Ky është cikli pozitiv me të cilin ne duam dhe do ta fusim ekonominë. Ndaj për të gjithë biznesin, për të gjithë sipërmarrjen që ka 8 vjet që vuan sepse vetëm 2 apo 3 kanë bërë hajër këto vite sepse  janë të lidhur me kryeministrin. Unë kam një dhe vetëm një mesazh. Votë për numrin 9 do të thotë votë për shpëtimin e ekonomisë, do të thotë votë për shpëtimin e biznesit, do të thotë votë për çlirimin nga ankthi dhe nga  terrori dhe për  taksat e ulëta dhe uljen e  çmimit  të  energjisë dhe të karburantit”, tha Basha.

Basha tha se COVID-i është arsyeja e goditjes të ekonomisë familjare dhe për këtë Partia Demokratike po përgatit një paketë rimbursimi për të gjitha familjet që janë detyruar të futen në borxh për t’u kuruar nga COVID-i.  

Lulzim Basha: Si duket gjendja?

Qytetari: Qetësi duket. Ka rënë!

Lulzim Basha: Po gjendja ekonomike për të blerë ilaçet?

Qyetetari: Njerëzit janë të lodhur!

Lulzim Basha: E domosdoshme të rimbursojmë familjet që janë goditur nga COVID-i. Sipas llogaritjeve tona me shifrat reale të cilat janë shumëfishi i atyre që janë shpallur bëhet fjalë për dhjetëra mijëra familje që kanë harxhuar mesatarisht 2 deri në 3 milionë lekë të vjetra për kurimin. Po të them mesatarisht  se ka shkuar deri në 6 milionë për ata që kanë pasur 3, 4 anëtarë të familjes. Për ata që e kanë kaluar rëndë që i është dashur oksigjeni, i është dashur skaneri disa herë, ju janë dashur analizat disa herë, janë kanë shkuar dhe janë futur në borxh. Ndaj, po përgatisim një paketë për rimbursimin e tyre por na duhet edhe ndihma juaj. Do flasim edhe me urdhrin e farmacistëve që të kemi mundësi të kryqëzojmë të dhënat e familjeve, me të dhënat tuaja për të bërë të mundur një paketë rimbursimi për çdo familje pas 25 prillit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
Basha takim me fermerët në Baldushk: 100 milion euro në vit subvencione, do të ndahen pa NIPT dhe pa kontakt me administratën

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me fermerë të Baldushkut rreth problematikave që ka sot bujqësia. Basha tha se Baldushku për 8 vite është lënë në vendnumëro dhe kjo gjë do të marrë fund më 25 prill. Ai u zotua se programi i Partisë Demokratike do të zbatohet pikë për pikë, i cili parashikon 100 milion subvencione në vit për fermerët, uljen e çmimit të naftës dhe çdo grant që vjen nga Bashkimi Europian për këtë sektor, do të shkojë tek fermerët.

'100 milion euro në vit subvencione dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerin sipas prodhimit, sepse ne e dimë që ky prodhim ndryshe shkon në treg, e ndryshe shitet kur ke zero mbështetje e merr prapë dhe e hedh në kanal, se nuk të shitet, se vjen prodhimi i eksportit më i lirë se prodhimi jot, megjithëse ti e ke më të freskët, më të mirë ai e shet më lirë, se e ka të subvencionuar. Kush e ka sjellë prodhimin. E ka sjellë një grusht importuesish që përfitojnë ndërkohë që gjithë fermerët rrënohen. Por kur ku prodhim të jetë i subvencionuar, do të thotë që nga farat, fidanët, dapi që i ka  shkuar çmimi 12-13 mijë lekë më shumë më thanë këto javët e fundit. Plehrat kimike, nafta të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt tek kostoja e prodhimit dhe duke ulur koston e prodhimit përmes subvencionimit ju do të jeni në gjendje t’i shisni këto prodhime, që janë prodhime të freskëta cilësore me çmime që s’ka askush t’iu kontrollojë jashtë Shqipërie dhe fitimet ti fusni në xhepin tuaj. Kaloni nga fermer borxhli në fermerë që fillojnë krijojnë sipërmarrje praktikisht, fitim. Ky pra është përkushtimi që kemi ndaj jush, ky është angazhimi që kemi ndaj jush. Ne nuk vijmë me premtime që  i shpikim një muaj para zgjedhjeve.

Më 25 Prill për këtë do të votoni. A do të mbajë dot kurrizi juaj i lodhur nga arroganca, nga taksat, nga çmimet e larta, edhe 4 vjet të tjera si këto 8 që kaluan? Apo do të zgjidhni ndryshimin? Një qeveri që njësoj si qeveritë fqinje do t’ju përgjigjet me subvencione, me investime në infrastrukturë dhe do jua heqë lakun e terrorit e të stresit dhe të presionit psikologjik, e do ju lejojë të punoni dhe të çlironi energjitë pozitive me liri, me mundësi dhe me përkrahje maksimale për ju. Pyetja e vetme e 25 Prillit kjo është, a mbani dot edhe 4 vjet të tjera si këto 8 që kaluan? Apo do të votoni për ndryshim?

Ne nuk do të bëjmë diskriminime me bukën e gojës së fëmijëve të fermerëve, subvencionet do të vijnë pa burokraci dhe pa kontakte me administratën. Do të vijnë me një kartë të dixhitalizuar dhe nuk do të kesh nevojë të japësh ryshfet. Pa NIPT dhe pa kontakt me administratën. '- tha Basha.

Ora 14:42
Basha me gratë në Dajt: Paga minimale në fund të 4-vjeçarit 400 euro

Nga Qesaraka kreu i PD-së, Lulzim Basha është ndalur edhe në njësinë administrative Dajt, ku u fokusua tek fasoneritë dhe përmirësimin e kushteve të grave që punojnë aty. Basha tha qeveria për 8 vite nuk ka investuar asnjë lekë, as në kohën e pandemisë, për të ndihmuar këtë sektor. Ai tha se taksa e sheshtë 9% dhe rritja e pagës minimale në 360 mijë lekë të vjetra në muaj, janë dy ka masat e para që do u vij në ndihmë grave që punojnë në këtë sektor. 

“Goditja e parë ka qenë rritja e çmimit të naftës dhe rritja e çmimit të energjisë. Kjo ka rritur koston e prodhimit dhe kur rritet kosto e prodhimit do të thotë që investitori, pronari ka më pak për  të investuar, ka më pak për të bërë politika të nxitjes së punësimit apo rritjes së pagave. Këto para shteti ia ka marrë por nuk ia ka kthyer. Nuk ia ka kthyer fjala bie në investime, prapë fasonët njësoj si sipërmarrësit e tjerë duhet të investojnë vetë  në gjeneratorë sepse u ndërprehet energjia elektrike, në shkarkimin e ujërave të zeza sepse në të gjithë zonën e  autostradës Tiranë-Durrës ku janë edhe një pjesë e madhe e fasonerive për 8 vite ma radhë nuk është investuar një lekë për kanalizimet e ujërave të zeza. Pastaj erdhi pandemia dhe ne e dinim fare mirë, i kërkuam shtetit të paguante një pagë për çdo punonjës të fasonerisë prej 260 mijë lekësh dhe të mbylleshin fasoneritë sepse po ktheheshin në një bombë. Nuk na dëgjuan derisa plasi në Krujë dhe Fushë Krujë e mbani mend. Ka edhe probleme të tjera sepse fasoneria është  industri që e çon prodhimin në eksport. Ju e dini që ne kemi vënë pagën minimale prej 300 eurosh pra 360 mijë lekë të vjetra kёtё objektiv i cili do tё realizohet, por nuk mund tё realizohet siç e bёn ky. Cikli ku jemi është një sërë dështimesh 8 vjeçare. Pagat do të rriten sepse me masat tona ne do të  do të mundësojmë pikërisht që ato qindra miliona euro, miliarda euro që shteti sot ua merr punëdhënësve si taksa, ju a merr dhe ju dhe nuk i kthen kurrë tek ju, por i përvetëson. Ato ne ti kthejmë në taksa të ulëta, ti kthejmë çmimet e ulët të energjisë dhe të naftës të cilat në vetvete do të sjellin punësim dhe pastaj përmes përfitimeve të ekonomisë dhe të sipërmarrjes do të rrisim edhe pagat në nivelin për të cilin jemi zotuar dhe niveli për të cilin jemi zotuar është që në Shqipëri nuk do të ketë pagë minimale poshtë 300 euro, në muaj dhe në fund të katër vjeçarit tonë, 400 euro në muaj paga minimale për të gjithë”, tha Basha.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin