Gjatë vizitës në SHBA, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano.

Basha  theksoi se koncesionet korruptive po vendosin një kosto shumë të rëndë në buxhetin e shtetit dhe po anagazhojnë burime financiare. Ai përmendi koncesionet në shëndetësi, që sipas tij, kapin një konso prej 338 milion eurosh. Kreu i PD-së tha se po pregatitet të jepet me koncesion edhe mbledhja e TVSH-së, ku koncesionari parashikohet të marrë 140 mln euro në 10 vitet në vijim.

Basha shprehu shqetësim edhe për nivelin e lartë të borxhit të Shqipërisë, mungesë e investimeve, papunësinë dhe konsumin në nivel të ulët. Shqipëria, tha ai, është vendi me taksat më të larta në rajon, ç’ka ka bërë që investitorët e huaj të mos e shohin me interes, madje shumë prej tyre janë larguar nga vendi.

Ai foli edhe për ofertën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme,  që sipas tij, do ta nxjerrin vendin nga kriza: Taksë e sheshtë 9%; TVSH 15%; vëmendje të veçantë ndaj sektorit të bujqësisë.

Ndërsa, Pagano shprehu vlerësim që opozita ka një platformë konkrete për të adresuar çështje të zhvillimit ekononomik të vendit​.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)