TIRANË- "Do të sillem ndaj Shqipërisë me të njëjtën përgjegjësi si sillen prindërit shqiptar ndaj fëmijëve të tyre"! Ishte ky premtimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha gjatë një takimi që zhvilloi me nëna që fëmijët i kanë në emigracion.

Në përgjigje të një qytetareje, i cili i tha se "kishte shpresat vetëm te Basha që do e sillte vendin në rrugën e duhur', kryedemokrati theksoi se ky është një prioritet e tij në qeverinë e ardhshme.

Nënat treguan historitë e tyre, teksa Basha u premtoi se do të punojë fort për t'ua bërë atyre sa më të lehtë rikthimin në shtëpi.

“Unë jam nënë e dy vajzave. Njëra prej vajzave ka mbaruar gazetari me rezultate të shkëlqyera. Pasi nuk gjeti asnjë mundësi apo alternativë punësimi këtu, u detyrua të emigronte në Amerikë. Më falni! Ajo ka sot dhe një vajzë të vogël, të cilën unë e kam parë vetëm njëherë kur lindi. Pamundësia ekonomike e jona na detyron që t’i qëndrojmë larg. Por e keqja nuk është kjo. Kam vajzën tjetër që ka mbaruar për informatikë ekonomike, dega financë bankë, e cila nuk po gjen alternativë punësimi dhe ajo do të ndjekë hapat e të motrës, do të iki jashtë sepse thotë këtu nuk shih asnjë dritë jeshile. Tani, zoti Basha dua të di kur do të mbarojë ky makth për ne prindërit, sidomos në këtë kohën e pandemisë, se po të mendojmë, se po të na gjejë gjë do të vdesim pa parë fëmijët tanë. Kjo është e keqja më e madhe e popullit tonë, po rrimë larg fëmijëve”,- rrëfen me lot në sy një nënë. 

“Edhe unë një familje si të gjithë shqiptarëve, familje e thjeshtë dy fëmijëve të mi kanë mbaruar juridikun, vajza është më e madhe dy vjet se djali, por vajza mbaroi juridikun këtu dhe punonte këtu, në televizion ka qenë në Klan, madje balerinë, ajo të aplikojë mami se mbase më del e drejta e studimit të shkojë të vazhdojë shkollën në Amerikë. Aplikoi dhe fitoi se dhe këtu notat tek Juridiku i pati të shkëlqyera edhe ajo sot ndodhet në Amerikë dhe vazhdon studimet në Manhatan. Kam dhe unë 6 vite që se kam parë.” tha gjatë bisedës me kryetarin e opozitës një tjetër nënë. 

"Edhe me thënë atë të drejtën, kur vjen darka, kontrolloj telefonin, është futur djali në internet, nuk është fut në internet. Po s’qe fut në internet nuk më zë gjumi gjithë natën lëviz a se po të ketë ndonjë problem ndonjë diçka, komplet bosh brenda si nënë", rrëfen një tjetër zonjë. 

Kryetari Basha pasi dëgjoi historitë e nënave të emigrantëve, deklaroi se qeveria e ardhshme ka një plan të qartë që të kthejë rininë në Shqipëri, duke i kthyer kështu shpresën vendit.
 

 "Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur në krye të prioriteteve tona për qeverisjen e nesërme, kthimin e shpresës tek Shqipëria, me prioritet absolut vendet e punës, punësimin e në veçanti punësimin e rinisë. Detyra e qeverisë së ardhshme është që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre, dhe ky është një tjetër prioritet sa i përket rinisë në veçanti dhe mbylljes së kësaj plage të emigracionit. Qeveria e ardhshme do të sjellë me të njëjtat përgjegjësi, siç silleni ju ndaj familjes, qeveria e ardhshme do të sillet ndaj Shqipërisë, me të njëjtën përgjegjësi siç sillen prindërit shqiptarë ndaj fëmijëve të tyre. Kjo duhet dhe kjo krijon shpresë, sjell shpresë tek vendi, sjell besim tek investitorët", iu përgjigj Basha.