TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të fillojë nesër takimet me bazën e partisë. Dega e parë nga ku do ta nis këtë proces do të jetë Partia Demokratike e degës Durrës e cila nesër feston 23 vjetorin e themelimit të saj. Sipas selisë qendrore të PD-së, thuhet se kryetari Basha do të shkojë për të festuar 23 vjetorin e themelimit të degës së partisë në qytetin e Durrësit duke filluar në këtë mënyrë edhe takimet me strukturat në këtë qytet.

Aktualisht Partia Demokratike ka lançuar nismën për riformatimin e strukturave të partisë në mënyrë që të zgjidhen krerët e rinj drejtues të saj nëpër rrethe. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deri më tani ka zhvilluar vetëm një takim me strukturat e PD-së në këtë qytet, takimin i cili u zhvillua gjatë kohës kur Basha po kryente fushatën e tij për të marrë drejtimin e partisë. Që pas asaj kohe, ai ka shkëputur lidhjet me bazën e këtij degëzimi. Por me ceremoninë që do të zhvillohet nesër në Durrës, Basha do të ketë sërish mundësinë për tu njohur edhe më shumë me strukturat e partisë që ai drejtoj.

Aktualisht PD dega Durrës drejtohet nga deputeti Igli Cara i cili sipas të gjitha gjasave pritet që të mos jetë më në krye të kësaj dege pas zgjedhjeve të brendshme të PD-së. Kjo pasi ai është etiketuar si një nga pëgjegjësit e humbjes së PD-së pasi në këtë qark PD pati një humbje të konsiderueshme të votave gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit. Kësisoj edhe kryetarit të PD-së do ti duhet që të njihet më shumë me strukturat e partisë që ai drejton në mënyrë që të përcaktojë kandidaturat e reja që do të drejtojnë degëzimet e partisë.
 
Shkrimi u publikua sot (25.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)