Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha nga Elbasani, ku po zhvillon një mbledhje me qytetarët, se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakrës elektorale dhe se ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura.
Basha tha se ata që ende nuk kuptojnë si u vodhën zgjedhjet nga regjimi Rama-Doshi, le të vijnë në Elbasan, ku krerë të policisë morën në mbrojtje bandat që blinin vota, duke shtuar se prokurori u përpoq që të fshihte provat e kapjes në flagrancë. Basha tha se ato do të të luftojnë deri kur të rrëzojnë regjimin Rama-Doshi dhe do t’jua u kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.
'Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit. Atyre që nuk e kuptojnë akoma apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë përmasën reale të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ju them ejani në Elbasan dhe shikoni se si prokurori u përpoq të fshihte provat e kapura në flagrancë të materialeve zgjedhore, të shitblerjes masive nga bandat kriminale që kanë vënë përfund policinë, institucionet dhe kontrollojnë tërësisht qytetin dhe qarkun e Elbasanit.'- tha Basha.
Duke iu përgjigjur sërish ftesës së kryeministrit Edi Rama në lidhje me bashkëpunimin midis tyre, Basha tha se krimi është bërë njësh me pushtetin dhe se ato nuk do të bien në paqe me këtë realitet dhe se nuk do të ulin kokën përball këtij realiteti.
'Atyre që pyesin pse nuk jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Edi Ramën, ju them ejani në Elbasan. Ejani dhe shikoni se si janë bërë njësh pushteti me krimin, krimi me pushtetin. Siç e ka thënë dikur gjyqtari i famshëm anti-mafia, Paolo Borselino, “krimi dhe politika ushtrojnë kontrollin mbi të njëjtën hapësirë. Ato nuk mund të jenë në paqe me njëra-tjetrën, por vetëm në luftë me njëra-tjetrën ose përndryshe njëra prej tyre ka fituar. Kush mendon se në do të biem në paqe me këtë realitet, kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur. E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi.'- tha ndër të tjera Basha.
Basha e mbylli takimin duke nënvizuar se ata do të vazhdojnë bashkë atë që nisën që është bashkimi i madh i shqiptarëve për ndryshim.
'Do ta vazhdojmë atë që bashkë nisëm dhe që është ndalur përkohësisht: bashkimin e madh të shqiptarëve për ndryshim, në mënyrë që çdo shqiptar të ndihet i fituar, atëherë të jeni të sigurt që nuk ka forcë të na ndal për ta çuar këtë betejë deri në fund. Ky është mesazhi që kam për ju të nderuar kapitenë të skuadrës tonë në Elbasan, ky është mesazhi që kam për të gjithë demokratët e Elbasanit, ky është mesazhi për çdo qytetar që na ndjek sot.'- tha Basha.