Kryetari i PD, Lulzim Basha ka prezantuar në Lushnjë, kandidatin për bashkinë Indrit Sefa, ku sipas tij përfaqëson modelin e ri politikë atë të vlerave dhe punës ndaj qytetarëve dhe jo modelin e korrupsionit dhe të bandave që sipas Bashës ka sjellë Rama në krye të vendit.
"Sot e kam për kënaqësi dhe privilegj të ndodhem në mesin tuaj dhe t’iu them se ndonëse shpesh kam qenë dhe kam dëgjuar avokatinë e avokat Indrit Sefës, sekretarit ligjor dhe elektoral të Partisë Demokratike deri dje dhe sot në detyrë drejtpërsëdrejti, apo e kam lexuar në faqen e shtypit kur luftonte kundër padrejtësive, kundër shtypjes, kundër privimit nga të drejtat dhe liritë themelore nga regjimi banditesk i Edi Ramës të qytetarëve të Lushnjës dhe të demokratëve anembanë të Shqipërisë. Dhe jam këtu sot para jush me zemrën plotë me krenari, që është Indrit Sefa, kandidati i Partisë Demokratike, është njeriu që do të punojë për qytetin, për bashkinë dhe për të gjithë lushnjarët. Që nga familjet e vjetra autoktone, themeluese të qytetit e deri tek fermerët në cepat më të largëta të kësaj bashkie kaq të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ekonominë e saj. Në veçanti jam i bindur se zgjedhja e një njeriu jo vetëm me një fytyrë njerëzore, por me një moral dhe me një botëkuptim të ri është një avantazh i patejkalueshëm për Partinë Demokratike", tha Basha.
Nga Lushnja Basha ka hedhur sërish akuza ndaj qeverisë për aferën e inceneratorëve, ku tha se u faktua vjedhja e shekullit dhe se tani duhet të vepronte SPAK.
“430 milionë euro vjedhja e shekullit u faktua. Tani është në dorë të SPAK të justifikojë besimin e shqiptarëve duke çuar para drejtësisë nga koka te bishti. Kurse për 6 marsin është në dorën tuaj. Nuk bëhen dot mrekulli në një vit por do jetë viti i anti-korrupsionit nga një jurist Indrit Sefa”, tha Basha.