Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha
TIRANË, 21 Qershor /ATSH- I. Vata/ - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Kuçovës, ku u ka thene anëtarëve të kësaj partie se duke zgjedhur përmes votës më të mirët për t'i drejtuar strukturat e Partisë Demokratike sot dhe në qeverisjen e vendit nesër, PD do të ringrihet më e fortë dhe do t'i përgjigjet më mirë pritshmërive të qytetarëve të cilët sot kanë kthyer shpresën drejt PD-së.
Basha e ka konsideruar të papranueshme gjuhën dhe sjelljen e përdorur vazhdimisht nga kryeministrit i vendit, duke u shprehur se qytetarët shqiptarë duhet dhe do t'i vënë fre depresionit të këtij njeriu para se ta kthejë depresionin e tij në depresion gjithëkombëtar.
Basha tha se "ne nuk do të pranojmë pushtetarë që çnderojnë vartësit, poshtërojnë bashkëpunëtorët, dhunojnë fizikisht gazetarët dhe diplomatët. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërrojmë. Lideri është simboli që reflekton Shqipërinë, e një kombi që krijon modelin e sjelljes së bashkëpunëtorëve të vet. A na përfaqëson ne një njeri që përdor gjuhën më të ulët ndaj grave, ndaj zonjave, që prek dinjitetin e familjeve të tyre, që i lë me orë në pritje për t'i sfiduar aleatët, apo që ju mban leksione fyese europianëve. Përmes transparencës, ne do t'i vëmë fre këtij tipi pushtetari që kërkon pilula antidepresive për vendin dhe do ta bëjmë këtë para se depresioni i tij të kthehet në depresion gjithëkombëtar",
"Edhe në vitet apo ditët më të errëta të opozitës ne kemi dalë para shqiptarëve kryelartë dhe jemi kthyer si shumicë morale, pastaj politike", theksoi Basha. /a.ke/











