Basha:Nuk ndalim protestat
në Kuvend për dekriminalizimin

Basha:Nuk ndalim protestat<br />në Kuvend për dekriminalizimin
TIRANE - Vetëm pak orë para nisjes të sesion të ri parlamentar opozita duket se do të jetë me mëngët e përveshura për të arritur brenda gjashtë muajve dekriminalizmin e Kuvendit. Ishte lideri i demokratëve Lulzim Basha i cili në mbledhjen e grupit parlamentar tha se pas miratimit të rezolutës të përbashkët që palët votuan në dhjetor me ndërmjetësimin ndërkombëtar, opozita do të punojë që kuadri ligjor për dekriminalizimin të arrihet deri në zgjedhjet vendore të qershorit. Ndonëse rikthimi i opozitës ishte një anë e medaljes, ana tjetër e saj do të vijojnë të jetë zhvillimi i protestave. E para e paralajmëruar nga kryedemokrati Basha, është ajo kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
 
“Kjo nuk është një qeveri e votuar por një mashtrim i qartë. Duhet të jemi dhe do të jemi opozitë edhe më e fortë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fort në tabanin e opozitës të mbështetur në fakte, që është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit. Qeverisja oligarkike e ka në gen mbytjen e të vërtetës duke përdorur sipas rastit karotën dhe kërbaçin. Propaganda e tyre punon me ngarkesë të plotë dhe është gjallëruar si asnjëherë tjetër.  Ne jemi shpresa për një të nesërme më të mirë. Grupi ynë janë përgatitur për këtë betejë shumë planëshe, e fillojmë me mëngë përveshur këtë sesion parlamentar. Dekriminalizimi i Kuvendit është beteja dhe kauza jonë fisnike për sot dhe nesër për të promovuar Shqipërinë e vlerave”, tha Basha.
 
Por ndërsa foli për një betejë serioze të opozitës në këtë drejtim, Basha tha se një qëndrim krejt i kundërt është shfaqur nga ana e mazhorancës. Sipas tij, kryeministri Rama dhe aleati në qeverisje Ilir Meta po bëjnë vetëm propagandë, pasi në të vërtetë sipas tij, ata promovojnë trafikantët në Kuvend.
 
“Kush mund ta bënte tjetër veç nesh, veç opozitës, nuk do ishim opozitë po mos të sensibilizonim partnerët tanë ndërkombëtarë se kriminalizimi i Kuvendit është vija e kuqe e përballje me çmim me diktaturën e krimit.  Nuk kemi iluzione se rruga do të jetë e shtruar me tapet. Rama ka bërë çmos të denigrojë atë duke u përpjekur t’i japë mesazhin subjekteve të krimit se asgjë nuk do të ndodhë. Të çmontojmë mekanizmin që promovon trafikantë në kuvend dhe në institucione të tjera”, vijoi Basha.
 
 
Kryetari i Partisë Demokratike pranoi se në kohën e qeverisjes së djathtë ka ekzistuar kultivimi i kanabist në vendin tonë, por qeverisja e majtë sipas tij i ka dhënë hov mënyrave më të sofistikuara të trafikut dhe përpunimit të lëndëve narkotike.
 
“Sinjalizimi gjerman çoi në zbulimin e impiantit më të madh të kokainës në rajon, trafiku në fjalë jo vetëm nuk është zhbërë po kishte marrë trajta të reja të frikshme, të panjohura më parë në Shqipëri. Kultivim të kanabisit ka pasur dhe ka akoma. Po trafik me avionë dhe fabrikë të përpunimit të kokainës kemi njohur vetëm në qeverisjen Rama-Meta. Bosët e narkoprodhimit nuk janë shqetësuar fare, përkundrazi kanë pasur favor retorikën qeveritare përderisa kanë guxuar që në kulmin e goditjeve të pretenduara nga qeveria të ngrenë një parajsë të vërtetë të krimit si në Kolumbi. U mburrën të parët në zbulimin e fabrikës. Kërkojmë çuarjen deri në fund të këtij krimi të rrezikshëm”, theksoi lideri demokrat.
 
Basha ka hedhur akuza se angazhimi i forcave të policisë në aksionet kundër vjedhjes së energjisë dhe ndërtimeve pa leje, po i lë rrugë të hapur krimit, e kjo për shkak se policia sipas tij nuk po merret me atë çka i takon të bëjë.
 
“Akuzojmë politikisht qeverinë se me pseudoreformën në Policinë e Shtetit me promovimin e militantëve, në polici elektrike e ndërtimore i kanë hapur krahë krimit të organizuar që po livadhis. Krimi në këto përmasa është produkt i mënyrës së qeverisjes, i vetë qeverisë Rama-Meta. Ky stan këtë bulmet ka. Kryeministri të distancohet nga krimi, mbushja e komisariateve dhe burgjeve me njerëz të thjeshtë që nuk kanë me ç’të paguajnë energjinë s’e kompenson rehatin me të cilit operojnë kriminelët. ”, tha Basha.
 
Fjala e plotë e Bashës në mbledhjen e Grupit Parlamentar

Në fund të mbledhjes, lideri demokrat i bëri apel të zgjedhurve në baza të Partisë Demokratike që të
intensifikojnë takimet me qytetarët për të njohur problemet e tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve