Thirrja e kryetarit të PD për largimin e qeverisë dhe për mosbindje civile ka ndezur turmën para kryeministrisë të cilët kanë goditur atë me gurë dhe vezë, fishekzjarrë dhe bojë blu. Protestën kryetari i PD e cilësoi si një referendum për liri dhe e vetmja zgjidhje sipas tij është largimi i qeverisë Rama-Meta dhe krijimi i qeverisë teknike.
Më pas kryetari i PD ka përsëritur thirrjen për vijimin e protestave dhe për mosbindje civile ndaj qeverisë.
Basha: O rrëzojmë qeverinë, o të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë
Lulzim Basha udhëhoqi protestën e parë të dhunshme nën drejtimin e Partisë Demokratike prej dy vitesh. Ndonëse kishte premtuar më shumë se njëherë se modeli i tij i veprimit politik është ai moderues dhe me pikëpamje perëndimore, dje u duk i unifikuar me frymën radikale të ish-kryetarit të PD, Sali Berisha. Tetë dhjetori ishte paralajmëruar nga Partia Demokratike si një tubim paqësor kundër qeverisë (manifestim i cili do të përkujtonte edhe lëvizjen studentore të dhjetor ’90-ës), por që degjeneroi në dhunë përpara selisë së Këshillit të Ministrave.
Fjalimi i kryetarit demokrat, Lulzim Basha, se qeveria Rama do bjerë dhe vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ishte momenti që ekzaltoi turmën të cilët hodhën në drejtim të kryeministrisë gurë dhe pllaka të shkulura nga bulevardi, shkopinj, vezë dhe tymuese me ngjyrë blu. “Ka nisur mosbindja civile”, u shpreh Basha, ndërsa turma e shoqëroi me brohoritje dhe filloi të qëllojë në drejtim të selisë së Këshillit të Ministrave. “Në këmbë qytetarë e qytetare.
Në këmbë shqiptarë e shqiptare. Largimi i qeverisë Rama-Meta është zgjidhja”, vijoi Basha. “Qeveria teknike është zgjidhja. Çlirimi i vendit nga duart e kusarëve është zgjidhja. Zgjedhjet e reja me rregulla demokratike të shkruara e të zbatuara, është zgjidhja”, theksoi kreu demokrat. Ndërsa duket hequr një paralelizëm mes dhjetori 1990 dhe dhjetorit 2015 u shpreh:
“Na ka thirrur në këtë mision të ri 8 dhjetori i vitit 1990, dita kur studentët e lavdishëm të Universitetit të Tiranës shpërthyen Lëvizjen studentore demokratike për Shqipërinë si gjithë Europa. Liri nga Tirania komuniste, ishte thirrja e tyre. Liri nga Tirania e krimit, e korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë. Ikni, largohuni shporruni”, tha më tej kreu demokrat.
Në vend që deklaratat e kryetarit të PD të qetësonin turmën e rebeluar, dhanë efekt të kundërt, duke mbërritur në veshin e protestuesve si mesazh për të mësyrë drejt Kryeministrisë. Gjatë gjithë fjalimit të tij të gjatë, Basha nuk përmendi në asnjë rresht, ndryshe nga tubimet e mëparshme, se protesta e opozitës është paqësore dhe pas përfundimit të saj, turma do të shpërndahet po paqësisht. Një tjetër moment ky që u mor si mesazh për të sulmuar selinë qeveritare.
Strazimiri: Nuk ndërrohet atdheu, por qeveria
Fjalimet në podium i ka çelur deputeti demokrat Gent Strazimiri i cili nisi të fjalë me fjalë të ashpra: "Besoj nuk keni frikë nga bijë e së njëjtës bushtër", - tha ai.
Strazimiri e quajti këtë protestë nisjen e një rrugëtimi për të rrëzuar qeverinë dhe për të sjellë sipas tij demokracinë.
"Vëllezër sot nga ky shesh del një mesazh i ri, nis sot dhe nuk ndalet kurrë, është një aksion, një mesazh patriotik që duhet të shkojë në çdo shtëpi.: Besimin dhe shpresën e bëjmë të gjithë ne bashkë, sa më shumë të bëhemi aq më shumë e ngjallim shpresën. nëse atdheu lëndon, nuk ndërrohet atdheu ndërrohet qeveria. Udhëtim të mbarë këtij udhëtimi tonë për të sjellë demokracinë, për t'i dhënë paqe disa eshtrave", u shpreh deputeti demokrat.
Ristani: Neveri për këtë qeveri, zgjedhje të parakohshme
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike përsëriti edhe njëherë qëndrimin e demokratëve se qëllimi i kësaj proteste dhe i të tjerave që pritet të vijojnë, janë zgjedhjet e parakohshme.
"Lukuni banditeske që njësoj si etërit erdhi në pushtet me premtimin e lugës së florinjtë dhe solli rrënimin. Neveri për këtë qeveri, në vend të saj nuk kërkojmë pushtetin por t'i jepet mundësia popullit me zgjedhje të parakohshme, me protesta të vazhdueshme", - tha Ristani.
Spaho: Askush s'mund të na pengojë për zgjedhje të parakohshme, fund tiranisë
Me tone agresive ndaj qeverisë u shpreh edhe deputeti Edmond Spaho.
"Të rrëzojmë një tirani të re, qeverinë e krimit, varfërisë. Jemi sot në Bulevard të gjithë, sepse durimi na ka sosur dhe duam një jetë më të mirë. Duam rrëzimin e kësaj qeverie, të iki qeveria, të iki Rama, Meta dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, askush nuk mund të na pengojë, ora e lirisë po troket, si në 8 dhjetor 1990 shkundu tirani fundi juaj po vjen", tha Spaho
Mbesa e At Zef Pllumit: Rama, falje publike për dekorimin e hetuesit të tij
Protestës së opozitës i është bashkuar edhe mbesa e At Zef Pllumit, e cila e quajti dekorimin e hetuesit të tij nga kryeministri Edi Rama si thikë pas shpine. Ajo kërkoi nga kryeministri tërheqjen e dekoratave si dhe falje publike në nder të kujtimit të At Zef Pllumit.
“Jam bashkuar në këtë protest dhe ndaj me ju të njëjtat halle, varfëri, mungesë shprese. Thikë pas shpine erdhi lajmi që qeveria dekoroi hetuesin e At zef Pëllumbit dhe shumë hetues të tjerë. Ne nuk e meritojmë këtë sjelljee të panderë. Kërkojmë që kryeministri të tërheqë dekoratat dhe t’i drejtohet me falje publike kujtimit të At Zef Pllumit dhe mbarë shqiptarëve. Ne nuk harrojmë, nderi është pasuria e vetme që kemi nga të parët. Ne nuk do të lejojmë që edhe nderin të na e shkelin. Kjo mungesë shprese e pamundësie, e ka një përgjegjës. Ai është Edi Rama. Ai duhet të largohet,” tha mbesa e At Zef Pllumit.
Berisha nuk ngitet në podium
Ashtu siç edhe ka bërë gjatë të gjitha tubimeve të Partisë Demokratike në dy vitet e fundit, që prej dorëheqjes së tij, edhe sot lideri historik i demokratëve nuk ngjitet në podium, ndryshe nga sa ishte planifikuar në fillim nga organizatorët.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)