“Kam kërkuar dhe kam marrë mbështetje të vazhdueshme për rrugëdaljet kryesore për reformën elektorale, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që dekriminalizmi që fillon prej ditës së nesërme të jetë një realitet ligjor që duhet të sjellë pasojat e para për personat e inkriminuar në Parlament, kryetar bashkish dhe nivele të tjera të pushtetit, dhe është padyshim dhe Reforma në Drejtësi, e cila do të sjellë një drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin dhe si e tillë ka qenë, është dhe do të jetë interes parësor i Partisë Demokratike dhe për të cilën Partia Demokratike do të vazhdojë të japë gjithçka.
Sigurisht që shkaktarët e kësaj situate rezistojnë dhe do të rezistojnë për të mbajtur privilegjet e marrjes së parave të taksave të shqiptarëve, të marrjes së parave të prokurimeve publike, miliarda lekëve, eurove të cilat të përfunduara në një grusht xhepat të oligarkëve kanë shkaktuar këtë papunësi dhe këtë varfëri.
Por ne do të vazhdojmë të përpiqemi e të luftojmë për reformën në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron korrupsionin qeveritar dhe krimin. Dhe për këtë të mos ketë asnjë pikë dyshimi dhe besoj se me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë do t’ia dalim. Sikundër do të vazhdojmë të luftojmë dhe përsëri me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë do t’ia dalim t’iu japim shqiptarëve një sistem votimi të lirë, të drejtë, pa kërcënime, pa shit-blerje votash. Sikundër një skemë politike të pastruar nga kriminalizimi dhe kriminelët e sjellë nga Edi Rama dhe Ilir Meta në Parlament dhe në bashkitë e vendit.
Këto të treja janë betejat kryesore të opozitës, disa i kemi sjellë në prag të fitores, siç është dekriminalizimi, implementimi i cili nis ditën e nesërme. Unë jam shumë i bindur që edhe dy të tjerat do t’i korrim me sukses sepse janë pjesë e një luftë të përditshme të madhe për cilësinë e jetës së qytetarëve tanë për të hapur vende pune, për të siguruar paga dinjitoze për shqiptarët. Dhe këto nuk mund të vijnë për sa kohë që qeveria është ulur në fronin e korrupsionit dhe babëzisë dhe e lidhur dorë për dorë me shullazët, habilajt me kompani”, theksoi zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike u ndal edhe në situatën e rëndë ekonomike si dhe të kriminalitetit në vend.
Duke theksuar se situata në Shqipëri është shumë e rëndë në të gjitha aspektet ku situata e kriminalitetit në veçanti po precipiton nga dita në ditë, Basha tha se Partia Demokratike ka marrë përsipër jo vetëm misionin e përballjes me këtë të keqe të madhe rrënjët e së cilës gjenden tek korrupsioni qeveritar dhe lidhjen e saj me krimit, por edhe rrugët e daljes nga kjo situatë e rëndë.
“Ditë për ditë shtohet numri i familjeve që u ndërpritet energjia elektrike për shkak të pamundësisë për t’i paguar. Kush e çan kokën?! Askush. Çfarë është përgjigja e qeverisë, propagandë.
Disa herë në muaj në qendër të Tiranës qëllohet me armë zjarri, vriten e plagose. Qytetarë kalojnë afër këtyre skenave të krimit e rrezikojnë të lëndohen. Kush merr përgjegjësi?! Askush. Vrasjet mbeten të pazbardhura.
Në një situatë ku përgjegjësia për rënien ekonomike, për papunësinë, për varfërinë është korrupsioni qeveritar. Ku ne denoncojmë ditë për ditë siç kemi bërë edhe sot afera korruptive të Edi Ramës, të Ilir Beqës, Arben Ahmetajt, të gjithë oborrit oligarkik qeveritar dhe ku me përjashtime shumë të rralla dhe shumë të ngadalta drejtësia nuk vendoset.
Në këtë gjendje të rëndë ekonomike dhe politike për shqitarët përgjegjësia e Partisë Demokratike e imja si kryetar i saj është të formulojmë rrugët e daljes, të përpilojmë planin që këto rrugëdalje të kthehen në një veprim politik dhe të sigurojmë mbështetjen e nevojshme nga qytetarët shqiptarë dhe nga aleatët ndërkombëtarë”, tha Basha.
Për këtë arsye, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një tur bashkëbisedimi me qytetarët për programin qeverisës si dhe me partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar rrugëzgjidhjet e kësaj situate të rëndë të korrupsionit qeveritar dhe krimit të lidhur me të.