“Partia Demokratike është zotuar publikisht për zbatimin 100% të rekomandimeve të Venecias. E kam bërë këtu para jush këtë zotim dhe e përsëris edhe sot. Kam bërë një ftesë publike dhe e përsëris edhe sot për Edi Ramën dhe Ilir Metën që të punojmë mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias si udhërrëfyesi i vetëm për Reformën në Drejtësi. Fatkeqësisht që nga ky moment ka patur vetëm retorikë dhe asnjë veprim pozitiv në këtë drejtim, përkundrazi ka patur veprime që bien ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe zotimin publik të mazhorancës për të punuar së bashku me opozitën për një draft të ri. E kam fjalën për draftin parafabrikat të 29 dhjetorit, një përpjekje tinzare, hileqare e Edi Ramës që në vend të përqafimit të rekomandimeve të Venecias, kërkon të bëjë “ Bypass”-in e rekomandimeve të Venecias.”, tha Basha.
Për thirrjen e kryetarit të kuvendit për ekspertët e PD për këtë çështje Basha ka këtë përgjigje.
"Më 4 janar tryeza ra dakord dhe tha se nuk ka draft tjetër, por ndërkohë përsëri në mënyrë tinëzare dhe hileqare ka shpërndarë një draft që në fakt është parafabrikati i 29 dhjetorit. Në këto kushte pyetja e vetme të cilës duhet t’i japë përgjigje Edi Rama është: Po Venecias apo Jo Venecias? Nëse Po Venecias, hapi i parë që duhet hedhur është publikisht të mohojë ekzistencën e një drafti paralel. Ai mund të jetë drafti i PS, draft i Fatmir Xhafës apo draft i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Socialiste por nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një produkt konsensual. Hapi i dytë është të lexojmë sëbashku konkluzionet e Venecias. Hapi i tretë është të punojmë mbi një dhe një draft të vetëm, në kushte barazie të ekspertëve tanë dhe ekspertëve të Edi Ramës," deklaroi Basha.
Kreu i opozitës i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit për një takim me krerët e maxhorancës për Reformën në Drejtësi
“Unë mirëpres çdo iniciativë të institucionit të Presidentit të Republikës për të ndihmuar në transparencën e procesit, për të parë qartë se kush ka vullnet dhe kush jo. Dua të përsëris edhe një herë që PD ka vullnet të çeliktë për reformën në drejtësi, sikundër ka vullnet të çeliktë për të mos lejuar kapjen politike të drejtësisë”, tha ai.
Basha konfirmon se ka komunikim të vazhdueshëm me ambasadorin e SHBA i cili po ndjek hapa pas hapi këtë proces.
Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)