TIRANE-Bashkia e Tiranës bën analizën vjetore të punës së saj. Lulzim Basha në një takimi me mediat tha se gjatë vitit 2013 janë hapur rreth 2400 biznese më shumë se viti i kaluar. Sipas tij, në territorin e Bashkisë së Tiranës, gjatë vitit 2013 janë punësuar më shumë se, 12 mijë persona, në biznese të vogla familjare dhe në biznese të mëdha. Gjithashtu, kreu i bashkisë Basha tha se, gjatë këtij viti janë punësuar edhe 55 persona nga komuniteti rom, kryesisht në sektorin e pastrimit të qytetit. Gjatë vitit 2013, puna në Bashkinë e Tiranës ka njohur përparim, ka deklaruar kreu i Bashkisë, Lulzim Basha. Një tjetër arritje e institucionit që ai drejton është miratimi i planit rregullues të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, ky plan është në shërbim të qytetarëve dhe do të sjellë ndryshime të mëdha për jetën në Tiranë.

Basha nuk ka lënë pa përmendur edhe transportin urban brenda qytetit. Basha deklaroi se, janë rinovuar linjat e transportit urban në kryeqytet dhe se premtimi për tramin në Tiranë do të bëhet realitet brenda 24 muajve dhe në këtë mënyrë në kryeqytet do të shtohen hapësirat e gjelbëra dhe hapësirat për qytetarët. Sipas Bashës, çmimi i biletës në tram është parashikuar që të jetë 50 lekë për person. Basha gjithashtu i është përgjigjur edhe interesimit të medias, në lidhje me banesa sociale që ende nuk janë shpërndarë. Sipas tij, janë duke u bërë punime plotësuese që nuk ishin mbaruar ende. “Ka pasur disa ndërhyrje në këtë zonë rezidenciale, si tensioni i lartë që ndodhej në mes të kompeksit, do të përfundojnë edhe punimet mbështetëse, si kanalizime dhe ujësjellësat. Këshilli Bashkiak ka pasur një ngërç prej disa muajsh si edhe për çështjen e buxhetit, shpresojmë që këshilli të mblidhet edhe për shpëndarjen e këtyre banesave”.


Shkrimi u publikua sot (26.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)