Basha: Qeveria të heqë dorë nga
luksi, ndihmë familjeve në nevojë

Basha: Qeveria të heqë dorë nga<br />luksi, ndihmë familjeve në nevojë<br>
Dëshmi tronditëse të familjeve që janë përjashtuar nga ndihma eknomike. Fëmijë që ushqehen me turshi në mëngjes dhe familje të zhytura në borxh për të mbijetuar, ky është mesazhi që na përcolli kreu i Partisë Demokratike gjatë një vizite në disa familje në Vlorë.

Përjashtimi i mbi 20 mijë familjeve të varfra nga skema e ndihmës ekonomike është një fenomen kombëtar që ka prekur edhe Bashkinë e Vorës. Familjet që vizitoi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, sipas tij janë të gjitha të hequra padrejtësisht nga ndihma ekonomike. Është rasti i Sabri Vrionit, që jeton me familjen në një barakë. Në bisedën mes tyre, ai i tregoi Bashës se ia hoqën ndihmën 4800 lekë, për shkak se nuk plotësonte pikët, ndërkohë që tregon gjendjen e mjerueshme të barakës dhe vajzat që po ushqehen në mëngjes me lakër turshi dhe qepë të njoma. 

Kryetari Basha u shpreh se “Partia Demokratike nuk do të pranojë kurrë të hiqet buka e fëmijëve, në mënyrë që qeveria të shpenzojë paratë për luks”.

Në shtëpinë e Bujar Lukës, që jeton në një ish-depo armatimi, situata është po aq e rëndë. Mirela Luka i tregoi Bashës kartonat e papunësisë për muajin janar, kohën kur iu hoq ndihma ekonomike pa asnjë shpjegim. Një pjesë e asaj ndihme shkonte për vajzën e sëmurë, Maristela, me azëm të avancuar, prej të cilës nuk e pranojnë as në shkollë.
“Fëmija ka një javë pa shkollë sepse nuk e mbajnë në klasë, u prish mësimin të tjerëve. Më thanë me e shtru në spital. U thash, nuk kam mundësi, sepse atje çdo gjë do lek. E kam provuar. Kam blerë deri tek shiringat, vigonat, çdo gjë. Rrija me shpresën e ndihmës ekonomike, edhe atë e hoqën. Ka shkuar aty ku nuk mban”, tha Mirela Luka.

Kushtet e këqija ku banojnë u ka shkaktuar bronkopneumi edhe 3 fëmijëve të familjes së Spahi Koçit, i cili i tregoi kreut të PD dhomën ku jeton familja me 5 vetë, që ka mbetur pa ndihmë ekonomike.

Ai i tha Bashës se të dy prindërit e fëmijëve janë pa punë dhe janë në spital me fëmijët e shtruar në pediatri me ftohje të rëndë dhe se me heqjen e ndihmës ekonomike nuk kanë me çfarë të jetojnë dhe janë në dorë të Zotit.

Nga skema e ndihmës ekonomike është përjashtuar edhe familja e Fradjol Ukës, bashkëshortja e të cilit e barazon ndihmën me nje thes miell.
Shkova të firmos më thanë se nuk ke emer dhe dhe kur më ka thënë s’ke emër, nuk më kanë parë mësytë të vija në shtëpi. Atë prisja që të merrja një thes miell”, u shpreh ajo, duke shtuar se tani jeton duke marrë borxh nëpër dyqane dhe se nuk kanë gjetur punë në zyrat e punës, ku është regjistruar me bashkëshortin.

Basha tha se nëse qeveria do të hiqte dorë nga shpenzimet e luksit, ato do të ishin të mjaftueshme për të paguar ndihmën mujore të më shumë se 30 mijë familjeve në nevojë.


e.gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj