-Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së Kukësit-
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha
TIRANË, 4 Korrik /ATSH- I. Vata/-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së Kukës dhe ka sjellë në vëmendje diskriminimin që qeveria po iu bën zonave që nuk votuan për të, ndër të cilat është edhe Kukësi i cili ka përfituar zero fonde gjatë këtij vitit.
Kryetari i PD-së, Basha duke folur para demokratve të Kukësit u shpreh se "halli i madh që ka zënë këtë vend është fakti se Edi Rama dhe Ilir Meta, siç e faktuan edhe këtu në Kukës, e para çdo shqiptari nuk e kanë ndërmend të prodhojnë asgjë të mirë për këtë vend".
Ai shtoi se "nuk e kanë pushtetin për qytetarët, për shqiptarët, për të bërë diçka për të përmirësuar diçka në fund të fundit, për të lënë një gjurmë, e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë mall prandaj e blejnë. Se blejnë votat, se blejnë kryetarë bashkie, se blejnë vullnete, është një krim i rëndë, është korrupsion politik. Po nuk ndalen me kaq. Pasi kanë marrë pushtetin kanë promovuar nga Parlamenti e deri në postet më të larta drejtuese njerëz të lidhur kokë e këmbë me krimin".
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar nga Kukësi siç e do zakoni edhe kryeministrin per ditëlindje.
"Meqe ka ditëlindjen, le t'i urojmë gëzuar nga Kukësi sipas zakoneve tona fisnike. Dikush kishte vënë re se është më i moshuari mes Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe shefit të opozitës. Këtë që është i vjeter, e më i vjetri, kush nuk e di, por kilometrazhin se kishte treguar deri tani, e paska dhe kilometrazhin", tha Basha./a.g/










