TIRANE- ‘Riformatimi i SHISH nga qeveria është presion politik’. Kështu e ka cilësuar kreu i PD, Lulzim Basha dy ditë më parë në Laprakë. “Në raport me çdo institucion të pavarur, kjo mazhorancë po fakton që s’njeh konceptet bazë të funksionimit të shtetit ligjor, respektimit të institucioneve të pavarura e në çdo hap kur mazhoranca i kundërvihet Kushtetutës, ligjit, institucioneve të pavarura, do ketë përballë një opozitë të vendosur për të bërë pikërisht atë që dëgjuat edhe nga funksionarët e lartë amerikanë, rolin e saj në mbrojtje të institucioneve të pavarura, në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të ligjit”, tha Basha. Ku s’ka ka lënë pa rikujtuar edhe deklaratën e zyrtarit të DASH Jonathan Moore në lidhje me cënimin, sipas tij, të institucioneve të pavarura në Shqipëri.
 
Ndreu, PS
Deputeti i PS, ish-kryepolic i Tiranës, Pjerin Ndreu tha se fakti që SHISH nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me ngjarjet e rënda kriminale të kohëve të fundit, do të thotë se diçka nuk funksionon në atë institucion. Për mediat, deputeti socialist theksoi nevojën që skema e funksionimit të SHISH të rishikohet. Ai tha se Shërbimi Informativ Shtetëror duhet ristrukturuar. “Fakti që SHISH deri tani nuk ka asnjë informacion apo të dhënë për një fluks ngjarjesh kriminale është tepër shqetësuese. Do thotë se diçka nuk funksinon dhe na bën ne ta shikojmë se duhet ristrukturuar SHISH” tha Ndreu pas mbledhjes së grupit PS. Në prononcimin për gazetarët ai tha se në mbledhjen e djeshme të grupit PS nuk ishte diskutuar kjo reformë.


Shkrimi u publikua sot (04.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)