Basha rikthen sulmet kundër
Ramës: Nuk mbajti premtimet

Basha rikthen sulmet kundër<br />Ramës: Nuk mbajti premtimet
Kryetari i PD, Lulzim Basha është rikthyer me sulmet ndaj kryeministrit, pasi nga dita e arritjes së marrëveshjes, më 17 Maj nuk kishte bërë asnjë deklaratë kundër Ramës.
 
Basha ka akuzuar qeverinë dhe Ramën për premtimin e pa mbajtur sipas tij për hapjen e 300 mijë vendeve të punës dhe për shëndetësinë falas.
 
Kryedemokrati shprehet se ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre.
 
PD dhe PS pak ditë më parë arritën një marrëveshje, që opozita të kishte 6 ministra teknikë në qeveri për të garantuar votën e lirë.
 
Ndërsa në fillim të javës PD do të hapë fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.
 
Statusi i plotë i Lulzim Bashës
Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para.
 
Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë.
 
Në katër vite, të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit.
 
Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë.
 
Ai i braktisi fermerët e nuk u dha kurrë mbështetje, por ai tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia.
 
Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet.
 
Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata.
 
Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqendrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër.
 
Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre.

#ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe

 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Jason Derulo kapet 'mat' duke darkuar me një vajzë misterioze në Tiranë

Jason Derulo kapet 'mat' duke darkuar me një vajzë misterioze në Tiranë