Basha: S'ka dialog për drejtësinë pa vendimet e Kushtetueses
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat, pas takimit që zgjati 45 minuta me komisionerin e Bashkimit Europian, Johannes Hahn ka thënë se pa dekriminalizimin, është e rrezikuar jo vetëm demokracia shqiptare por edhe stabiliteti i vendit. VIDEO
Opozita nuk mund të ulet në tryezën e dialogut politik për reformën në drejtësi, pa u zbatuar nga mazhoranca vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kërkon shqyrtimin e mandateve të deputetëve nga kjo gjykatë.
Pas një takimi 45 minutësh kokë më kokë me komisionerin për zgjerimin Johanes Hahn e më pas me delegacionet përkatëse, kryetari i PD Lulzim Basha ka qartësuar pozicionin e opozitës në raport me ligjshmërinë në vend. Nuk bëhet fjalë për negociata politike për reformën në drejtësi në kushtet e shkeljes së kushtetues tha kreu i PD.
“Shumica nuk ka vullnet për zgjidhjen e çështjeve. Shqipëria është disa hapa prapa. Opozita është e interesuar për Reformën në Drejtësi. Të zbatohen vendimet e Gjyakatës Kushtetuese për 2 deputetët. Rama t'i japë fund lojës me kushtetutën. Qeveria dhunon ligjin e kushtetutën," u shpreh kreu i opozitës.
Basha tha se situata në vend është dramatike e kjo nuk mund të tolerohet. Edhe dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes politike Basha tha se shumica ka bërë hapa mbrapa në drejtim të zbatimit të ligjeve në vend.
“Situata në Shqipëri është dramatike. Mbetet për tu parë zbatimi i ligjit të Dekriminalizimit. Kriminelët Rama po i përdor për të fituar referendumin. Persona me rekorde kriminale në Kuvend. Rama i ka bërë koordinatorë në PS, të inkriminuarit. Rama e ka sjellë shtetin ligjor në vdekje klinike. Dekriminalizimi mbetet peng i vullnetit të Ramës. Shteti ligjor në vdekje klinike” tha Basha.
Kjo panoramë politike u prezantua nga kryetari Basha për komisionerin për zgjerimin Johanes Hahn, ndërsa më pas në një mbledhje me grupin parlamentar kreu i PD ka informuar deputetët mbi diskutimet për këtë çështje.
Ndërkaq PD është e vendosur në betejën e saj në parlament duke kërkuar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në të kundërt do të vijojë pamundësimin e punimeve normale të seancës në kuvend. Po ashtu mësohet se në mbledhjen e parlamentarëve demokratë, duke e konsideruar kauzë të opozitës ligjin e dekriminalizimit, kreu i PD u ka kërkuar deputetëve të plotësojnë formularin përkatës të ligjit për të përshpejtuar në këtë mënyrë procesin për zbatimin e ligjit të integritetit të zyrtarëve të lartë.