Basha: Shpërthimi i Ramës sot
shkak platforma ekonomike e PD

Basha: Shpërthimi i Ramës sot<br />shkak platforma ekonomike e PD
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas konferencës “Reforma në Ekonomi dhe klima e Biznesit”, ku mori pjesë kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të biznesit të huaj.
 
Basha tha se takimi i Ramës me biznesin u shndërrua në bumerang aktakuzash, ku përfaqësuesit e biznesit denoncuan taksat e larta si shkak për mbylljen e vendeve të punës dhe rënien ekonomike.  
 
Basha tha gjithashtu se Shqipëria është fshirë nga harta e investimeve të huaja. “Ndonëse i konceptuar si shfaqja propagandistike e radhës, takimi i sot i Edi Ramës me biznesin u kthye në një bumerang aktakuzash publike, live dhe sy për sy, çka dëshmon se sa e rëndë është situata ekonomike, sa e thellë kriza e biznesit, dhe sa e pashpresë mundësia e tyre për të hapur vende të reja pune nën qeverisjen e Ramës. Shqipëria është fshirë nga harta e investitorëve të huaj për shkak të pasigurisë alla shullazi, për shkak të klimës së keqe të biznesit me taksa që rriten, e gjoba pas gjobash që po i marrin shpirtin sipërmarrjes së madhe, të mesme e të vogël. Paratë e taksave të rritura që duhet të shkonin për investime që hapin vende pune përfundojnë në xhepat e qeveritarëve. Përgjegjësi për këtë situatë është Edi Rama. Atij ja thanë në sy sot, se si rezultat i taksave të larta vetëm një biznes në Vlorë është detyruar të largojë 80 persona nga puna, 80 familje që ju mungon një pagë, ndoshta e vetmja në shtëpi. 200 personave të tjerëve ju pamundësua punësimi në një rast tjetër në Berat për shkak të politikës së rryshfetit, pa të cilin nuk mund të ecet në pushtetin e Edi Ramës”, u shpreh Basha.
 
Ai theksoi se biznesi i huaj po mendon largimin nga Shqipëria i shtyrë nga presioni i taksave dhe gjobave të qeverisë, ndërsa nga ajo e cila vuan Edi Rama, është platforma e taksave të ulëta të Partisë Demokratike.
 
“Futja e duarve në xhepat e biznesit nga qeveritarët, ishte denoncimi i tyre. Asnjë investitor nuk është i lumtur, të gjithë po mendojnë largimin. I penduar që ky takim ishte live, Rama ju hakërrye me radhë biznesit, FMN, Dhomës Amerikane të Tregtise. Shpërthimi i sotëm i Ramës e kishte edhe një arsye të fortë. Besimi i madh dhe shpresa e biznesit tek programi ekonomik dhe taksat e ulëta të Partisë Demokratike ia ka prishur terezinë. Taksa e sheshtë 9%, TVSH 15% taksa të ulëta për biznesin dhe qytetarët do të thotë më shumë konsum, më shumë investime, do të thotë vende pune, paga më të larta, më shumë investime publike qe punesojne dhe zhvillojnë vendin”, thekson Basha.
 
Sipas kryetarit demokrat, ekonomia nuk zhvillohet me propagandë dhe as buxheti nuk mbushet me gjoba abuzive që po i marrin shpirtin biznesit.
 
“Ekonomia kërkon program, vizion dhe vendosmëri, kërkon një qeveri që mbi të gjitha të jetë në krah dhe jo në përplasje me biznesin dhe investitorët. Dhe ne do t’ja japim vendit një qeveri të tillë që do punojë për një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar. ‪#‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundon Basha.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla