/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot mazhorancën se po kandidon për zgjedhjet lokale të 21 qershorit emra të përlyer me krimin.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se, Shqipëria sot është përballë dy ofertave. "Nga njëri krah është alternativa e krimit, që erdhi në pushtet me premtime të mëdha, por që në fund rriti varfërinë dhe nga krahu tjetër është një ofertë politike serioze, e papërlyer me krimin dhe që synon rritjen e mirëqënies së shqiptarëve", theksoi Basha.
"Aleanca është për dekriminalizmin, për rinisjen dhe ringritjen e re. Ora e qytetarëve po afron. Zgjedhësit do të flakin me votë të lirë kandidatët e krimit të organizuar, Shqipëria është e qytetarëve", tha Kreu i Partisë Demokratike.
Basha përmendi gjithashtu dhe emrat e disa prej kandidatëve të propozuar nga PS për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, që sipas PD-së janë të lidhur me krimin, si Artur Bushi, kandidat i PS-së në Krujë dhe Elvis Roshi, si kandidat i emëruar nga PS në Kavajë. "Llogarisin t'i blejnë votat, t'i poshtërojnë dhe shkelin zgjedhjet. Ky është zanati. E kanë bërë në zgjedhjet e 2013, në zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Korçës e duan ta shtrijnë më gjerë, ndaj guxojnë të kandidojnë trafikantë në kulmin e betejës për dekriminalizimin", tha Basha.
Lideri i opozitës i bëri thirrje shqiptarëve të mos largohen nga vendi, por të luftojnë përmes votës, modelin e krimit që qeveria po ofron. "Nuk është ikja, zgjidhja e problemeve. Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk lëshon azil. Zgjidhja vjen vetëm nga bashkimi, nga këmbëngulja në kërkesat e drejta ekonomike e sociale. Shpëtimi vjen nga vota e 21 qershorit. T'i largojmë me votë masive, të bashkohemi në detyrën kombëtare për t'i hapur rrugë punësimit", tha Basha.