TIRANE- Intensifikimi i protestave nëpër sheshet e vendit, do të jetë motoja e re e Partisë Demokratike. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i kësaj partie theksoi se tanimë forca politike që ai drejton do të mbështesë çdo protestë të inicuar nga sovrani. Krahas kësaj, Basha akuzoi qeverinë edhe për çështjen e ligjit të ri për nëpunësin civil. Sipas Bashës, ky draft i hartuar nga qeveria, shkel kushtetutën dhe konsensusin e arritur ndërmjet dy forcave politike dhe i bëri thirrje qeverisë, që të tërhiqet nga ky draft.

Basha shtoi gjithashtu, se të shkarkuarit nga administrata duhet të rikthehen në punë, pasi sipas tij, kështu ishte e përcaktuar në vendimin Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi aktin normativ të qeverisë. "Qytetarët po ngrihen në këmbë për të çliruar mundësitë e ndaluara. Dhjetëra greva e protesta të vogla, janë në shpërthim në të gjithë vendin. Sigurojmë qytetarët shqiptarë që po protestojnë apo duan të protestojnë, se PD është përkrah tyre, kërkesat e tyre janë të drejta, lufta e tyre është e drejtë, fitorja e tyre është e mundshme.

Ajo që kërkojmë sot është anulimi i pasojave që ka krijuar zbatimi antiligjor i nëpunësit civil. Kërkojmë tërheqjen e këtij projekti tinzar, antikonsensus, me pasoja të rënda nëse nuk tërhiqet dhe anulohet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të ishte sinjal se shumica parlamentare, po fillon të dëgjojë dhe reflektojë"-tha Basha. 

Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)