Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha
TIRANË, 24 Qershor /ATSH- I. Vata/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë në faqen e tij facebook, të martën, e ka cilësuar vendimin e Këshillit te Ministrave të Jashtëm të BE, që ka rekomanduar  statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, nje lajm shumë të mirë, çka praktikisht ka hequr çdo pengesë për vulosjen përfundimtare nga shefat e tyre, krerët e qeverive dhe vendeve në mbledhjen e së enjtes.
Basha u shpreh  se "së pari dua t'ju falënderoj ju, ambasadorë të vendeve anëtare të BE, të gjithë vendet anëtare për këtë vendim të shumëpritur e ta përshëndes atë ngrohtësisht e nxehtësisht në emër të Bashkisë së Tiranës, qytetarëve të Tiranës, të gjithkujt në këtë sallë e jashtë kësaj salle dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi, por një stacion tjetër na pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE.
Dita e sotme është një ditë fitoreje për europianistët që përbëjnë shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë, tha Basha duke vijuar se "uroj që lajmi i mirë që morëm sot, lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë "steka" është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq". /a.ke/