Basha takon Fleckenstein:Krimi
bleu zgjedhjet, qeveria fiktive

Basha takon Fleckenstein:Krimi<br />bleu zgjedhjet, qeveria fiktive
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në një takim Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Eurodeputetin Knut Fleckenstein.

Selia e PD zbardh takimin e Bashës me Fleckenstein, ku thuhet se kreu demokrat ka ndarë me Eurodeputetin shqetësimet e aktualitetit politik dhe të situatës post-zgjedhore në Shqipëri. 

Gjatë takimit me zyrtarin e lartë të BE, Basha ka thënë se zgjedhjet e 25 qershorit treguan se kauzat e demokratëve për dekriminalizimin, kundër drogës dhe për zgjedhje të lira e të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin.

Zyra e shtypit e selisë blu njofton se Basha ka vënë në dukje faktin se tashmë janë edhe shtetet anëtare te BE, institucionet e BE, por edhe Europoli, që po evidentojnë me forcë problemin e kultivimit dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri dhe rritjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ne vende te BE.

Gjithashtu, ai ka theksuar se Partia Demokratike ka bërë një luftë të hapur ndaj kanabizimit të Shqipërise për katër vitet e fundit, dhe situata nuk do të ishte e tillë sot, nëse do të kishte patur më shumë vemendje dhe qëndrime të qarta nga institucionet ndërkombëtare. Fatkeqësisht sot, raporte të tilla kanë nxitur diskutimin e regjimit të vizave për shqiptarët.     

Më tej, bën të ditur zyra e shtypit të PD, Basha ka theksuar se angazhimi nga ana e qeverisë e eksponentëve të krimit të organizuar, mbështetja e tyre për t’u përfshirë në politikë dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal si trafikun e drogave, e ka lidhur fatin e qeverisë dhe maxhorancës me këta faktorë dhe jo me fatin e qytetarëve, duke shtuar se zgjedhjet e fundit e provuan përsëri këtë gjë, ku përfshirja e krimit të organizuar dhe parave të drogës, prodhoi një mazhorancë fiktive që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Ashtu si edhe një ditë më parë, ku në një dalje për media Basha zbuloi tre kushtet e demokratëve për zbatimin e Reformës Zgjedhore, edhe në takimin me Fleckenstein, kreu demokrat është ndalur te kjo reformë, duke e cilësuar atë si hapin e parë për adresimin e disa prej problemeve zgjedhore. 

“Reforma zgjedhore është hapi i parë për adresimin e disa prej këtyre problemeve, në vecanti përmes votimit dhe numërimit elektronik dhe identifikimit biometrik të zgjedhësve. Këto ndryshime janë thelbësore për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe minimizimin e fenomenit të shitblerjes së votes”, ka thënë Basha.

Ndërsa ka shtuar se duhet reformë e sistemit politik në Shqiperi, për të kufizuar dhe kontrolluar pushtetin, duke nisur me një parlament që nuk është thjesht vegël e qeverise, por mbikeqyrës dhe kontrollues i saj.

“Vetëm zgjedhjet e lira mund të rikthejnë besimin dhe shpresën dhe të ndalin eksodin e shqiptarëve që largohen drejt Bashkimit Europian, sepse ju mohohet e drejta për ndryshim përmes votës në vendin e tyre”, ka përfunduar fjalën e tij kreu i PD.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid