TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është ankuar Kongresmenint amerikan, David Jolly mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Në pritjen për Kongresmenin amerikan, kreu i opozitës shprehu mirënjohje për SHBA-në, për anëtarësimin në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen për projektin madhor të integrimit në BE.
 
Basha e njohu Kongresmenin amerikan, David Jolly me shqetësimet e opozitës për qëndrimet e vazhdueshme antiligjore e antikushtetuese të mazhorancës Rama-Meta, zhbërjen e administratës shtetërore, uzurpimin dhe politizimin e organeve të ruajtjes së rendit, degradimin dhe monopolizimin e ekonomisë e financave publike dhe kapjen e institucioneve të pavarura. Basha më tej vijoi informimin e kongresmenit Jelly lidhur me rritjen në nivele të panjohura me parë të kriminalitetit, kultivimit dhe trafikut të drogës në vend, dhe nga Shqipëria për në vendet e BE-së, dhe krijimin e një atmosfere të pasigurt për biznes, ç’ka ka sjellë për pasojë largimin e investitorëve të huaj nga Shqipëria.
 
Nga ana e tij,Kongresmeni amerikan vlerësoi kontributin që ka dhënë Partia Demokratike për konsolidimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e kombeve. Në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet ne rajon.
 
Kongresmeni Jolly i shprehu Kryetarit Basha, dëshirën për t’u ritakuar sa më shpejt në Uashington.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)