GJERMANI- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryetaren e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer. Siç njofton zyra e shtypit në selinë blu, mësohet se Basha është zotuar se PD-ja do të angazhohet për të përmbushur pikat e kërkuara nga Bundestangu, mes të cilave edhe Reforma Zgjedhore.

Gjithashtu, Basha ka deklaruar se sapo të vijë në pushtet, fokursi kryesor do të jetë tek investimet e huaja, përfshirë edhe ato gjermane për të hapur sa më shumë vende të reja pune e që për rrjedhojë do të sillinin zhvillimin ekonomik.

"Me kryetaren e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, njëherësh Ministre e Mbrojtes e Gjermanisë pata kënaqësinë të bashkëbisedoja mbi intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. I shpreha mirënjohjen për mbështetjen që CDU i jep Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE. Partia Demokratike do të angazhohet për të përmbushur të gjithë hapat e përcaktuar në vendimin e Bundestagut, duke nisur me miratimin e reformës zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E falenderova kryetaren e kristiandemokratëve gjermanë për ndihmën dhe përkrahjen e CDU me ekspertët e saj më të mirë për planin tonë ekonomik, zbatimi i të cilit do të ndihmojë për nxjerrjen e vendit nga kriza duke hapur vende pune me paga dinjitoze në veçanti për të rinjtë.

Sapo PD-se t’i besohet qeverisja e vendit, me ndihmën e CDU dhe kryetares Annegret Kramp Karrenbauer do të vëmë në jetë një plan strategjik kombëtar për investimet gjermane dhe të huaja me potencial të madh për zhvillim dhe për të hapur mijëra vende pune. Përparësia jonë është që të rinjtë shqiptarë të kenë të gjitha mundësitë dhe të zgjedhin të ndërtojnë te ardhmen në Shqipëri", mësohet të ketë thënë Basha.