Basha takon Yee: Mazhoranca nuk
 e do procesin e dekriminalizimit

Basha takon Yee: Mazhoranca nuk<br /> e do procesin e dekriminalizimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan Hoyt Yee, i cili shoqërohej nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu të cilëve u ka shprehur mirënjohjen  për mbështetjen e madhe që SHBA dhe ambasadori Lu po i japin iniciativës së Partisë Demokratike për procesin e dekriminalizimit. 

Kryetari i Partisë Demokratike ka ndarë me ta  shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës, sipas tij, për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike.

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka ritheksuar se për Partinë Demokratike është më e rëndësishme pastërtia e figurës së kandidatit sesa kalkulimet elektorale, gjë që u vlerësua si një standard i lartë, vendosur nga Partia Demokratike.

Me gjithë angazhimin e Partisë Demokratike - tha Basha, ka mungesë vullneti nga ana e mazhorancës, për të realizuar procesin e dekriminalizimit e cila vazhdon të promovojë  persona me precedentë kriminalë të cilët janë sot pjese e garës për kryetarë bashkie.

Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri dhe situata zgjedhore në Shqipëri, ku Basha ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e vazhdueshme të mazhorancës, sipas tij, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, duke vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Basha theksoi se dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat përmes  falsifikimit të  kartave të identitetit e shtimit të votuesve në zona të ndryshme të vendit, fakte të cilat janë bërë publike dhe çuar para drejtësisë, konkretisht në Durrës dhe në Kavajë.  

Kryetari i PD-së shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike gjatë tubimeve elektorale.
basha yee
Basha solli në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së. Në Vorë dhe në Sukth, persona me precedentë kriminalë, të armatosur janë vënë në shërbim të Partisë Socialiste dhe LSI dhe terrorizojnë banorët.  

Kulmi i shantazhit qeveritar është presioni i hapur që i bëhet kandidatit të Partisë Demokratike në Vorë apo kandidatit të Ersekës që është kërcënuar nga ministri i Mjedisit. Dhuna policore dhe presioni ndaj disa kandidatëve janë një shembull i keq i përdorimit politik nga qeveria të Policisë së Shtetit, me përpjekjen për të shantazhuar mbështetësit e opozitës.

Sipas zotit Basha është e dënueshme dhe e papranueshme gjuha fyese e kryeministrit ndaj kandidatëve të opozitës dhe presioni e kërcënimet që ai u bën qytetarëve, kur thotë se do të bllokojë fondet nëse nuk votojnë kandidatët e tij. Po ashtu, u denoncuan edhe rastet e vendosjes së qeverisë dhe aseteve të saj në shërbim të kandidatëve të majtë, si një shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor. Kjo situatë po dëmton procesin normal zgjedhor, theksoi  Basha.

Pasi u njoh me situatën nga zoti Basha, zëvendës - ndihmës sekretari i shtetit,  Hoyt Yee tha se do të merren të gjitha masat që vëzhguesit e ambasadës së SHBA të jenë prezentë dhe monitorojnë me kujdes procesin në të gjithë bashkitë, në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Formacioni/ Sylvinho me dilema, ja si luan Kombëtarja në Ligën e Kombeve

Formacioni/ Sylvinho me dilema, ja si luan Kombëtarja në Ligën e Kombeve