TIRANË, 17 Shkurt/ATSH/-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Belgjikës, Didier Reynders.
Kryetari i PD-së, Basha, e njohu Reynders me zhvillimet në vend dhe i shprehu shqetësimin për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të ecur përpara me zbatimin konkret të marrëveshjes për dekriminalizimin, një akt që u arrit përmes ndërmjetësimit energjik të partnerëve europianë. "Shtyrja e ngritjes së komisionit po vë në rrezik marrëveshjen", tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, i tha kryediplomatit belg se "shqetësuese për qytetarët e vendit janë dhe rritja galopante e kriminalitetit, e pasigurisë së jetës dhe e trafiqeve të drogës, çka përbën një kthim prapa pas shumë viteve pune të bëra për ta larguar Shqipërinë nga harta e narkotrafikut". Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet çdo nismë në favor të integrimit europian të vendit, nënvizoi kryetari i opozitës, por  qeveria po bën hapa pas, po zhbën standartet e arritura, po dhunon liritë dhe të drejtat e qytetarëve, po minon sundimin e ligjit dhe po kap drejtësinë me masa të njëanshme, shumë larg reformave europiane me gjithpërfshirje e konsulencë të partnerëve ndërkombëtarë./i.v/ /a.ke/