"Basha të ashpërsojë aksionin
unë në Kuvend edhe pas 2017"

unë në Kuvend edhe pas 2017"">
TIRANË - Jo vetëm parlamentarizmi është në krizë por edhe jeta politike, sociale dhe ekonomike, e për këtë duhet një reagim i fortë opozitar. Kështu e komenton situatën aktuale ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila gjatë një interviste për Report TV shprehet se PD ka për detyrë të kryejë këtë mision përmes aksioneve të forta me protesta më masive. 

"Sigurisht që me zotin Basha kam diferenca, kam pas përherë diferenca edhe mendime që nga mënyra se si mund të menaxhosh gjërat. I vetmi instrument i cili duhej të kthej, besimin te shqiptarët po ndoshta këto protesta duhet të jenë më të shpeshta, më të forta në çdo qytet. Brenda shesheve të Tiranës për të reaguar për çdo gjë", - pohoi Topalli.

Partia Demokratike - shprehet Topalli - duhet të mbështesë OJQ por duhet të jetë e vetëdijshme për misionin politik që ajo ka si forcë që ka bërë histori në 25 vjet demokraci.

"Duhet të ketë sjellje prej force politike të mbështes OJQT po të jetë e vetëdijshme se ne jemi forca politike që ka bërë historinë në këtë vend", theksoi ish-kryeparlamentarja.

Në intervistën për Report TV Topalli flet edhe për problemet e brendshme në PD, kur thotë se përgjegjësia për humbjet në zgjedhjet lokale është e kësaj force politike dhe nuk ka arsye të fshihet pas pretendimeve të tjera, ndonëse qëndrojnë.

"PD si çdo forcë politike por unë flas për partinë në të cilën militoj dhe punoj prej 20 vitesh, ka shumë gjëra për të shikuar te vetja e saj për të përmirësuar", u shpreh ajo.

Dhe ndërsa ka mbetur më shumë se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentar Jozefina Topalli mendon se do të ishte zhgjënjyes një koalicion me LSI, ndërsa FRD e Bamir Topit e sheh të pozicionuar qarte me PS. Detyra e Bashës thotë Topalli është ta çojë PD drejt fitores me aleatet natyral të saj.

"PD ka të gjitha mundësitë për tu rritur dhe për tu ngritur dhe së bashku me aleatët e saj natyror për të zhvilluar një tjetër sjellje për të qeverisur ndryshe. Çdo mendim tjetër qoftë ajo që thoni ju do ishte shumë zhgënjyes dhe i papranueshëm. Bamir Topin e shoh në prehrin e Edi Ramës, nuk e shoh ku është", - u shpreh deputetja demokrate.

Në seancën e fundit Jozefina Topalli njësoj si ish-kryeministri Berisha u shpreh se po risheh mandatin e saj në parlament, sërish ajo mendon se situata përballë politikës së inkriminuar të Ramës është e vështirë e madje e frikshme. Por ajo thotë se përballja është rruga më e mirë por edhe me e rrezikshme.

"Dilema sigurisht e mendoj herë pas here por nuk ka asnjë vendim për një gjë të tillë. Unë në fakt mendoj se përballja është rruga më e mirë. Përballja është rruga më e rrezikshme, është më e mirë. Lëshimi i mandateve është gjesti i fundit që një forcë politike mund të bëjë", tha Topalli.

Zonja Topalli shprehet se misioni i saj politik dhe parlamentar do të vijojë me Partinë Demokratike edhe pas 2017-ës.

Zonja Topalli, së pari ju falënderoj që pranuat këtë intervistë për Report TV dhe sigurisht është intervistë që vjen në kushte disi të vështira për Partinë Demokratike dhe opozitën në Parlament, pasi aktualisht Partia Demokratike është në kushte bojkoti për komisionet parlamentare. Së pari, si e shihni gjithë këtë që po ndodh aktualisht në Parlament?
Po, është pasojë e një teme dhe e një debati që zhvillohet prej momentit që në Parlament kanë hyrë njerëz të dyshuar fortësisht për një të kaluar me rekorde kriminale. Vjen pas një bojkoti 6-mujor të Partisë Demokratike, të grupit të saj parlamentar, për çështjen e dekriminalizimit, i paraprirë ky nga një betejë politike, po ashtu në Parlament, për të pastruar Parlamentin nga ata që ndoshta vendin e kanë tjetërkund dhe e kanë tjetërkund. Vjen pas votimit të Ligjit për Dekriminalizimin, vjen pas ardhjes së Sekretarit të Shtetit Xhon Kerri, i cili përgëzoi Kuvendin e Shqipërisë për Ligjin e Dekriminalizimit. Ja, këtu kemi arritur. Sepse vetë fakti që jemi të detyruar për të luftuar për të arritur te Ligji i Dekriminalizimit do të thotë se jemi gati në një situatë apolitike. Nuk di nëse ekziston ndonjë vend tjetër i botës që të ketë dhe të trajtojë çështje të tilla meqenëse nuk e ka në realitet një situatë këtillë sepse është larg çdo imagjinate. Natyrisht që opozita ka bërë detyrën që duhet ta bëjë çdo opozitë e ndodhur në një situatë të paprecedentë. Nuk do thosha që është një bojkot i komisioneve parlamentare, është një gjest, është një thirrje. Unë do të thosha që është një ulërimë që duhet të ketë shoqëria shqiptare për të tundur Kryeministrin e vendit që është fajtori i vetëm për situatën në të cilën gjendemi sot në Kuvendin e Shqipërisë.
 
A ka një rrugë që duhet të ndjekë Partia Demokratike dhe opozita, pasi ju keni pasur vazhdimisht qëndrime edhe ndaj lidershipit të Partisë Demokratike për aksione të cilat nisen dhe mbyllen pa u përfunduar.
Qëllimi është i njëjtë. Sigurisht që ka diferenca në mënyrën sesi e menaxhon apo në mënyrën që ti e mendon se është rruga më e mirë për të arritur qëllimin. Unë do t’i shtoja problemit të parë, që ne po trajtojmë këtu së bashku si problemin më të madh, papunësinë e lartë që ekziston sot në vend. Këtij problemi do t’i shtoja varfërinë në rritje, por edhe mjerimin e shumëfishuar. Dhe si pasojë e të gjitha këtyre, eksodin e madh që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe sidomos në Gjermani, në të gjitha moshat, por edhe me moshat e reja deri në 17 vjeç. Ky vend ka nevojë për një përmbysje. Nuk e kam fjalën për përmbysjen e pushtetit, por një përmbysje së pari e një mentaliteti, e një kulture turpi për gjithkënd që mendon që pushteti është një vend për t’u pasuruar, apo pushteti është një karrige që të lejon të rregullosh punët e tua. Vetë fjala ministër do të thotë shërbëtor, shërbëtor ndaj shoqërisë, shërbëtor ndaj vendit. Kryeministër do të thotë kryeshërbëtor. Tani në vendin tonë po ndodh e kundërta dhe ky është një alarm i fortë. Gjithsesi unë besoj se Shqipëria po të gjejë motivin e po t’i japësh besueshmërinë është në gjendje të reagojë fort ashtu siç ka ditur të reagojë në shumë raste të një udhëkryqi që vendi ynë ka kaluar.
 
Ju deklaruat, po ashtu si ish-kryeministri Berisha, që po rishikoni pozicionin tuaj në lidhje me mandatin në Parlamentin e Shqipërisë. A vijoni të mendoni sërish atë që ju thatë duke parë gjithë këtë që po ndodh apo ndoshta ju e shihni më mirë veten aty për të treguar dhe për të reaguar, siç po flasim tani.
Është një dilemë që nuk është vetëm e imja, por është edhe e kolegëve të tjerë në fakt, që na ndjek gjatë gjithë kësaj periudhe. Shumë herë më ka ndodhur që t’i them vetes: “Po unë, çfarë bëj këtu? Çfarë më lidh mua me këta njerëz?”, sepse gjatë kësaj periudhe opozita ka marrë edhe kërcënime, por unë kurrë nuk e kisha imagjinuar që në 25 vite parlamentarizëm, në periudhën e pluralizmit pas ndryshimit të sistemeve, parlamentarizmi të degradonte në një nivel të tillë. Dhe nëse ka një fajtor dhe ka një emër, ai është vetëm emri i Edi Ramës. Dhe këtë nuk e them sepse jam kundërshtare politike e tij, sepse nuk e them dot për asnjë kundërshtar tjetër politik. E them sepse ky është realiteti, për fatin tonë të keq. Forcat politike duhet të shikojnë mirë demokracinë jo vetëm brenda Parlamentit, por brenda vetë forcës politike sepse në këtë mënyrë, kur ke kryetarë partie të papërgjegjshëm, të cilët dalin edhe deklarojnë se s’ka nevojë edhe për zgjedhje brenda tyre apo për ndryshime të tilla që zgjedhjet u bëkan vetëm në opozitë dhe në pushtet nuk u bëkan zgjedhje, është një nonsens për t’u refuzuar, është një zhvillim regres në forcën kryesore që udhëheq sot, që qeveris sot vendin. Por ky është një rrezik kur kjo i ndodh një force të madhe politike siç është Partia Socialiste.
 
Dhe po e mendoni?
Sigurisht, e mendoj herë pas here, por nuk ka asnjë vendim për një gjë të tillë. Unë në fakt, mendoj se përballja është rruga më e mirë. Përballja është rruga më e rrezikshme, më e mirë. Lëshimi i mandateve është gjesti i fundit që një forcë politike mund të bëjë kur është në kushtet e zgjidhjeve ekstreme.
 
Zonja Topalli, a jeni kënaqur nga drejtimi që i është bërë Partisë Demokratike në këto 3 vite, pasi u la nga zoti Berisha?
Besoj se beteja që grupet parlamentare dhe Partia Demokratike kanë bërë për çështjen e dekriminalizimit është një betejë që i takonte për t’u bërë dhe rezultoi në votimin e ligjit. Por në sjelljen me Kryeministrin Rama nuk mund të parashikosh asgjë, d.m.th. arsyeja nuk bën më sens dhe ky është i gjithë komplikacioni i situatës sepse qeniet njerëzore janë qenie racionale që ecin me arsye dhe sigurisht dhe me logjikë politike brenda jetës politike, ndërsa këtu kemi të bëjmë me outsider politics brenda Parlamentit dhe brenda forcave politike dhe që e vështirëson. Sepse në fund të fundit çfarë është një forcë politike? Është një aktivitet i cili duhet të arrijë në kompromise apo të pajtojë grupe, interesa apo opinione të ndryshme duke i balancuar me njëra-tjetrën ose të paktën shumicën prej tyre. Mirëpo në kushtet me të cilat brenda Parlamentit ke shumë pak që flasin politikisht, sigurisht që me zotin Basha kam diferenca, kam pasur përherë diferenca, edhe mendimesh për mënyrën sesi mund të menaxhosh një gjë, por kjo është një gjë normale në forcat politike. Ky është ndryshimi midis një force politike që lëviz brenda saj dhe forcave politike të ngurta apo të një natyre që kemi parë për gjysmë shekulli.
 
Do të doja të dija se cilat janë marrëdhëniet tuaja politike me kryetarin aktual të PD-së, zotin Basha dhe ish-kryetarin zotin Berisha dhe a e mendoni se do të vijoni të jeni në karrierën politike në Parlamentin e Shqipërisë pas 2017-ës?
Unë besoj se raportet janë raporte luajale në kuptim me qëndrimin tim ndaj PD-së. Është pjesë e jetës sime Partia Demokratike. Duhet të bëj çdo gjë që përmes pozicionit si deputete në Partinë Demokratike, të mbroj interesat dhe të flas me gjuhën që një qytetar që s’ka mundësi të flasë, ta përcjell në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe në këtë kuptim, së bashku me kolegët e tjerë, përpiqemi që të bëjmë atë që dimë më mirë. Me ish-kryeministrin Berisha kam një raport bashkëpunimi shumë të vjetër si nënkryetare partie për një kohë shumë të gjatë dhe si ish-Kryetare e Parlamentit, bashkëpunim që ka çuar në reforma të jashtëzakonshme dhe në rezultate spektakolare gjatë qeverisjes, por edhe të shkollës së opozitarizmit që mësuam në atë periudhë. Po, do të jem pas 2017-ës sepse Parlamenti dhe parlamentarizmi është pasioni im.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot