Basha:Të nisim dialogun,Rama:
Jam gati, cakto vendin dhe orën

Basha:Të nisim dialogun,Rama:<br />Jam gati, cakto vendin dhe orën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me aleatët në selinë e PD-së, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të situatës politike. 

Në fokus të takimit ishte dhe propozimi i Ilir Metës për të krijuar një "qeveri besimi", ofertë për të cilën opozita ka dalë me një qëndrim zyrtar. 

Demokratët dhe aleatët e tyre, përmes një deklarate, kanë shprehur gatishmërinë për të dialoguar zgjidhjen e ngërçit politik, përmes krijimit të qeverisë teknike.

Ky qëndrim le të kuptohet se opozita mund të dalë nga çadra dhe t'i rikthehet jetës parlamentare pas 46 ditësh jashtë institucioneve, nëse përmbushet ky kusht.

"Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij", thuhet në deklaratë.  

Rama: Lulëzim, kam qenë dhe jam gati për dialog
Pas kësaj deklarate të koalicionit opozitar, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Rama u shpreh se është gati për dialog, ndërsa ftoi liderin demokrat që të caktojë vetë vendin dhe orën e takimit. 

"Lulëzim ta kam thënë kaherë, jam i gatshëm për dialog sa herë PD do dialog dhe për gjithçka, kudo e kurdo! Caktoje vetë vendin dhe orën", shkruan Rama në rrjetet sociale. 
 
Edhe më herët, kryetari demokrat Basha, u shpreh nga Çadra se mirëpret deklaratën e Metës për zgjidhjen e krizës përmes një qeverie besimi dhe duke bërë një interpretim të fjalës së kreut të LSI, e ftoi t'i bashkohet kauzës së PD. 

Opozita: Gati për dialog për qeverinë teknike
Pas takimit, zyra e shtypit pranë PD-së nisi një deklaratë për mediat në emër të koalicionit opozitar, ku thuhet se opozita përshëndet qëndrimin e LSI-së dhe i bën thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga kushtet, për t'i hapur rrugë krijimit të qeverisë teknike. 

Deklarata thekson gjithashtu se PD është e gatshme për dialog politik me faktorin politik për të projektuar krijimin e qeverisë teknike me bazë të gjerë nga spektri politik. 

"Duke përshendetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për tu bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij", thuhet në deklarën e koalicionit opozitar.

"Katër detyrat e "qeverisë teknike" 
Koalicioni opozitar ka paralajmëruar nisjen e dialogut politik, duke nënkuptuar edhe daljen nga çadra dhe thyerjen e bojkotit, parashtron edhe detyrat që duhet të ketë qeveria teknike.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat thuhet se "qeveria teknike duhet të ketë mandat të fortë për zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit; luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës; përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme; si dhe zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.

"Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet", thuhet në këtë deklaratë. ​

Idrizi: Pakt Kombëtar me 7 pika për rikthimin e dialogut politik
Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka propozuar një Pakt Kombëtar me 7 pika, përmes një tryeze zgjeruar të partive politike të thirrur nga Presidenti i Republikës, për zgjidhjen e ngërçit politik ku ndodhet vendi. 

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Idrizi thekson se Pakti Kombëtar, do të përfshijë zgjidhjen e çështjeve konkrete për përparimin e vendit në integrimin Europian, realizimin e reformës në drejtësi dhe rritjen e garancive për zgjedhje të lira, një draft ky rreth të cilit mund të debatojmë dhe mund ta pasurojmë bashkërisht.

Nënkryetari i Kuvendit thekson edhe rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces.

Ore 18:45 - Deklarata e koalicionit opozitar
Koalicioni Opozitar konfirmoi sot se rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Duke përshendetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për tu bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij.

Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për:

1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.

2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.

Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet.​

Ora 17:50 Basha mbledh aleatët në selinë e PD
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thirrur në një takim me aleatët në selinë e PD-së, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të situatës politike. 

Në takimin me Bashën marrin pjesë kreu i PR, Fatmir Mediu, ai demokristian, Nard Ndoka, Vangjel Dule i PBDNJ, Kreshnik Spahiu i AKZ si dhe Dashamir Shehi i LZHK.

Burime pranë selisë blu thanë për Shqiptarja.com se në fokus të takimit do të jetë edhe propozimi i Ilir Metës për të krijuar një "qeveri besimi", ofertë për të cilën demokratët pritet të dalin me një qëndrim zyrtar. 

Një ditë më parë, kreu i Kuvendit Ilir Meta, u shpreh se LSI është gati të dorëzojë mandatet e saj ekzekutive në qeveri, në funksion të zgjidhjes së krizës politike. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë