TIRANË- Kryeopozitari, Lulzim Basha në një takim më të rinjë në sallën e mbledhjes së Grupit Parlamenar të PD-së, në Tiranë ka bërë sërish thirrje për pjesëmarrje në protestë ditën e nesërme, në ditën e përkujtimit të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës.

Ai tha se data e 20 shkurtit është historike pasi ajo shënon thirrjen e madhe “Shqipëria si të gjithë Europa”.

“Të ndalemi tek dita e nesërme. Lidhja është pikërisht dëshira jonë për ta çuar vendin një orë e më parë pjesë të Europës dhe kjo fillon nga thirrja ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Unë besoj se kjo i përfshin të gjitha, sepse si europian të rinj, ju brezi i ri, me fjalën Europë kuptoni gjithçka që duam për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e çdo shqiptari, pavarësisht çdo moshe, pra për të gjithë shqiptarët. Çfarë është Europa? Është demokraci e shtetit ligjor, është kontratë kushtetuese mes të zgjedhurve dhe mirëqenie, politika që çon vendin përpara”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, qeveria shkel parimet e kësaj thirrjeje me verpimet e veta antikushtetuese. "Nuk pranojmë të nëpërkëmbemi nga kjo qeveri me sjellje anti-europiane”, tha Basha. 

“T’i japim një paralajmërim për të gjithë politikën e mashtrimit, kjo me shpresën se shqiptarët janë një popull që harrojnë, dhe t’ju themi me bashkimin e zërave të shqiptarëve që askush nuk e injoron, se shqiptarët nuk harrojnë premtimet. Se shqiptarët nuk gënjehen, se shqiptarët nuk mashtrohen. Kjo është sjellje europiane dhe këtë paralajmërim europian do ta japim ne nesër, qeverisë, kryeministrit, që bëjnë sikur nuk shikojnë dhe bëjnë sikur nuk dëgjojnë”, tha Basha.

“Qeveria të heqë dorë nga të gjitha ato veprime që na bllokojnë hyrjen në Europë”, u shpreh kreu i opozitës, ndërsa theksoi se rinia do ta shohë vendin një ditë më parë në Europë. 

Redaksia Online
(m.s/e.sh/shqiptarja.com)