DURRËS- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet më 20 shkurt në Tiranë, në ditën e përkujtimit të rrëzimit të Enver Hoxhës.

"Të jemi bashkë në ftesën tonë ndaj qytetarëve shqiptarë pa dallime politike që të marrin pjesë në 20 shkurt në Tiranë, në përkujtimin e 23-vetorit të rrëzimit të diktatorit Enver Hoxha dhe në marshimin e protestës popullore", apeloi Basha nga Durrësi, ku ndodhej në një takim me anëtarët e rinj të PD-së në Durrës.

Pjesëmarrja në protestën e organizuar nga PD-ja, sipas Bashës, është një detyrë qytetare në demokraci. 

Sipas Bashës qeveria nuk përmbush premtimet, ka ndërmarrë të gjitha hapat e gabuara në çdo fushë. Sipas tij Partia Demokratike po lufton për t’i dhënë fund të keqes. 

“Të ndërmarrim marshimin popullor kundër kësaj qeverie që nuk po përmbush asnjë premtim elektoral, por po përpiqet të rehabilitojë figurën e Enver Hoxhës” tha Basha para simpatizantëve në Durrës.
 
"Kjo protestë nis pasi qeveria nuk po mban premtimet që ka dhënë në fushatën elektorale. Kjo qeveri, ka instaluar mashtrimin e publikut dhe paligjshmërinë, që janë shtylla antidemokratike."

"Kjo qeveri ka përqafuar një model ekonomie të gabuar që po na çon në pikën zero. Këtë gjendje ekonomike Shqipëria nuk e ka njohur as në periudhën e krizës ekonomike. Çdo  ditë po bëhet më keq dhe jo më mirë. Është absurde t’i japësh kohë së keqes”, tha Basha. 

Ai ka folur edhe për anëtarësimin e të rinjve në Partinë Demokratike, që sipas Bashës janë frymë e re dhe shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. 
 
Redaksia online
(esh/ms/shqiptarja.com
)