Basha-Topalli, sherr për
fjalimin te Leka Zogu| VIDEO 

Basha-Topalli, sherr për<br />fjalimin te Leka Zogu| VIDEO 
TIRANE- Ceremonia e varrimit të pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I kanë nxjerrë në pah inatet dhe sherret mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.

Kush do të ishte personazhi që do të mbante fjalimin përpara arkivolit të Leka Zogut ishte konflikti mes dy politikanëve. Gazeta “Shqiptarja.com” në kryeartikullin e sotëm, “Topalli u mbush kupa” zbulon detajet e sherrit mes kryetares së parlamentit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës gjatë ceremonisë mortore të pretendentit të fronit mbretëror.

Të gjithë kanë parë se Basha dhe Topalli janë zënë brenda ambienteve të kuvendit për çështjen e mbajtjes së fjalimit, ndërkohë që protokolli i shtetit kishte vendosur që fjalimin ta mbante Lulzim Basha

“Ik zhduku” kanë qenë fjalët me zë të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për kryebashkiakun Basha, që janë dëgjuar edhe publikisht nga të gjithë të pranishmit në ceremoninë mortore. Por nuk ishte vetëm kjo.
Ceremonia u vonua për minuta të tëra, përpara se Basha të fillonte të fliste dhe u pretendua se kishte probleme me foninë. Mes saj dhe Bashës janë shkëmbyer disa replika në sy të të gjithëve, por më pas, ata janë futur në një korridor të mbyllur, larg syve dhe vështrimeve të të gjithëve. Nuk dihet çfarë është folur në atë sallë kur Basha dhe Topalli kanë qenë së bashku, por u pa qartë, që menjëherë sapo dolën nga salla, kryetarja e Parlamentit nuk ishte e qetë. Lulzim Basha do të mbante fjalimin.
Do e mbaj unë fjalën se më kanë caktuar” i është drejtuar kryebashkiaku kryeparlamentares. “Kush të ka thënë ty, është përgjigjur menjëherë Jozefina Topalli. Por biseda më pas, ka vazhduar në një dhomë tjetër.
Lulzim Basha, për të shmangur takimin me kryeparlamentaren, nuk hyri më pas nga pjesa kryesore, ku do të mund të takohej me presidentin Bamir Topi, presidenten e Kosovës Jahjaga, kryeministrin Sali Berisha e kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Ka hyrë nga rreshti pas, ku ishte ministri i mbrojtjes Arben Imami.
Sapo ka mbaruar fjalën Lulzim Basha është drejtuar nga Aldo Bumçi e Edit Harxhi. "Lëre, lëre, mos ia vër re" i ka thënë ministri i Kulturës kryebashkiakut Basha, duke iu referuar incidentit me kryeparlamentaren Topalli.
E kur pas ceremonisë Basha është afruar te Topalli për ta takuar sikurse do i takonte të gjithë, Jozefina deklaronte "u mbush kupa".
DEKLARATAT
Të gjitha këto deklarata kanë kaluar si pa u vënë re nga gjithë ajo turmë e madhe njerëzish që ishin në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të trupit të Leka Zogut. Por njerëzit që ishin aty afër, kanë dëgjuar dialogjet ashtu sikurse kanë parë gjithë kohën shpërqëndrimin e kryetares së kuvendit Jozefina Topalli e cila në fakt u detyrua të heqë fjalimin e vet. Ndërkohë e gjithë skena ka ndodhur në sy të kryetarit të shtetit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha.
VENDIMI
Ekrem Spahia ka qenë përfaqësuesi i familjes mbretërore në komisionin Shtetëror të ngritur me vendim qeverie për të bërë të gjitha përgatitjet për ceremonitë që do ti bëheshin Leka Zogut. I pyetur se kush e vendosi që në ceremoni të fliste Lulzim Basha, Spahia thotë se këtë e ka vendosur komisioni.
“Që zoti Basha të fliste në ceremoni, ishte një vendim i komisionit i ngritur nga qeveria për këtë punë. Aty diskutuam dhe ishte edhe dëshira e familjes Mbretërore që fjalën në ceremoni ta mbante kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Kjo edhe për faktin se familja mbretërore ka pasur marrëdhënie shumë të mira me kryetarin e bashkisë, Basha” tha Ekrem Spahia i pyetur nga shqiptarja.com. Në fakt, emri i Jozefina Topallit nuk ishte diskutuar kurrë në atë mbledhje. Kordinimi u bë mes komisionit, Sali Berishës si kryeministër dhe familjes mbretërore. “Absolutisht nuk është vënë asgjë tjetër në diskutim” përforcon Spahia.
Kjo vjen edhe për faktin se pretendenti për princ Leka, ka qenë këshilltar diplomatik kur ministër i Jashtëm ishte Lulzim Basha. Dhe e ka mbajtur prej shumë kohësh këtë detyrë. Princi Leka, ishte një ndër vendimmarrësit për ata se kush duhet të fliste në ceremoni. Nuk dihet se për çfarë arsyesh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kishte përgatitur një fjalim më herët.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Pogradec, një i plagosur me armë zjarri në fshatin Stropckë, nuk dihen shkaqet

Pogradec, një i plagosur me armë zjarri në fshatin Stropckë, nuk dihen shkaqet