TIRANË - Ka votuar pranë selisë së Partisë Demokratike edhe kandidati në garën e sotme për kryetarin e kësaj partie, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. 

"Procesi në tërësi ka shkuar mirë. Pjesëmarrja e lartë. Falenderim të thellë për anëtarët dhe militantët e PD, pjesëmarrjen në këtë proces të pashoq, procesi i parë i vërtetë, jo fals, i partisë më të madhe në vend me parimin “një anëtar një votë", ka theksuar Basha.

Ai ka falenderuar anëtarët e PD për "shpirtin demokrat, vlerat pozitive të këtij shpirti që lartësohet nga idealet dhe aspiratat e themeluesve tanë, që mori vlera gjatë qëndresës sonë, që merr vlera edhe sot dhe i përçon këto vlera, anembanë shoqërisë shqiptare” – theksoi Basha.

E PATOLERUESHME VJEDHJA E VOTAVE NË 23 QERSHOR
Basha ka mbajtur qëndrim edhe për rinumërimin e votave problematike në qarkut Lezhë, duke theksuar se "kKy është rasti kur krahasojmë edhe njëherë qartazi identitetin tonë, vlerat tona politike, vlerat që rrezatojnë për shoqërinë shqiptare sot, vlerat mbi të cilat ne kemi ndërtuar trashëgiminë tonë politike me antivlerat e turpshme, me diskretitimin që i bëhet sot vendit, nëpërmjet vjedhjes dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, siç provojnë kutitë e Lezhës". 

Basha ka përmendur se ne sot hasim tentativën institucionale të kryesocialistit Rama, për të penguar atë që kërkon sot çdo shqiptar, transparencën e plotë, pa kontestuar rezultatet e konfirmuara, në raport me ligjin dhe Kushtetutën.

"Askush nuk  mund t'i mohoje asnjë shqiptari të shikojë në dritën e diellit se si dhe çfarë ka ndodhur, në rrethanat kur faktorë të krimit të organizuar kanë marrë përsipër mëkatin e pashlyeshëm dhe që nuk mund të jetë kurrë i pandërshkueshëm, të deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Kjo është e palejueshme, e patolerueshme në çdo realitet, edhe në realitetet e largëta të vendeve të tranzicionit apo të sapodala nga diktaturat. Kjo është e papranueshme, këtu në mes të Evropës”.
 
Sipas zotit Basha, kjo është një çështje që i përket çdo shqiptari  dhe nuk mund të shkelmohet, për të fshehur aktet banditeske dhe kriminale të cilat qëndrojnë në themel të veprimtarisë së PS dhe  ngurrimit të pafalshëm të saj, të dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
 
“Unë personalisht, si anëtar i PD sot, si demokrat, i bëj thirrje PD, anëtarësisë sonë, mbështetësve tanë, të gjithë qytetarëve shqiptarë të qëndrojnë fort në këtë çështje. Kjo nuk është vetëm një çështje e PD, është çështje e identitetit tonë si shqiptarë, si qytetarë të lirë, është çështje e identitetit tonë si evropianë. Ne nuk mund të shkelmojmë asnjë nga këto identitete, për të favorizuar apo fshehur zullumqarët e krimit, për të fshehur apo favorizuar aktet banditeske dhe kriminale të cilat qëndrojnë në themel të veprimtarisë së PS dhe kryesocialistit Rama, në raport me një numër jo të vogël qendrash votimi, më datë 23 qershor  dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm të PS, të dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë” – përfundoi Basha.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)