Basha-Ymeri: Vetëvendosje
përfaqëson një pasuri kombëtare

Basha-Ymeri: Vetëvendosje<br />përfaqëson një pasuri kombëtare
Lulzim Basha gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar edhe me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Basha, sipas komunikatës së VV-së, ka thënë se Vetëvendosje përfaqëson një pasuri kombëtare dhe se kanë biseduar për sfidat e përbashkëta me Shqipërinë.

Diskutuam për politikën në Kosovë, Shqipëri, për sfidat e përbashkëta të Shqipëri e të Kosovës, për çështjet kyçe të interesave të përbashkëta të shqiptarëve, dhe për qasjet më konstruktive të mundshme në drejtim të zgjidhjes së këtyre sfidave. Pa asnjë dilemë, Vetëvendosje përfaqëson një pasuri kombëtare”, tha ndër të tjera Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Ai paradite kishte thënë se gazi lotsjellës nuk është për Kuvend.

Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, theksoi se në këtë takim u këmbyen ide dhe përvoja në skenën politike, veçanërisht për nevojën dhe domosdonë që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë të jenë dy shtete që i kontribuojnë kombit shqiptar.

Bashkëpunimi mes dy shteteve të jetë bashkëpunim që i zhdukë barrierat dhe pengesat e komunikimit si ekonomik ashtu edhe arsimor, por edhe politik, në mes të dy vendeve, në mënyrë që potenciali i faktorizimit të shqiptarëve në rajon të bëhet realitet”, theksoi Ymeri. 

 
Basha – Haradinajt: Nuk u jap leksione, të shkëmbejmë ide
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha është pritur në një takim edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryetari i AAK-së tha me këtë rast se e gëzon interesimi i Shqipërisë që ka për Kosovën ndërsa tha se dalja e opozitës nga Kuvendi është si ide që vendi të shkojë në zgjedhje.
 
Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se që qëllimi i vizitës së tij nuk është që të japin leksione por që të shkëmbejnë ide.
 
Kryetari i Partisë Demokratike po qëndron në një vizitë në Kosovë ku përveç kryeministrit, presidentes dhe zyrtarëve tjerë është takuar me të gjithë udhëheqësit e partive politike si dhe do të vizitojë edhe memorialin “Adem Jashari” në Prekaz.
 
Ndërkohë, Haradinaj ka treguar përmes llogarisë së tij në Facebook për takimin me kreun opozitar të Shqipërisë. “Sot pata kënaqësinë të pres kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku biseduam për zhvillimet politike në të dy vendet tona, raportet e bashkëpunimit dhe rolin e faktorit politik shqiptar në rajon. Në këtë takim e njoftova z.Basha me sfidat me të cilat po përballet vendi ynë, pakënaqësinë me qeverisjen aktuale, defektet dhe mangësitë e saj, mosgatishmërinë e këtij koalicioni qeverisës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe për mungesën e vullnetit të këtij koalicioni qeverisës për sundim të ligjit, shtetin e së drejtës dhe për zhvillimin ekonomik”, ka thënë Haradinaj. “Kryetari Basha nga ana e tij ndërkaq, foli për sfidat me të cilat po përballet Partia Demokratike që ai e drejton, si dhe shteti shqiptar. Ramë dakord që Kosova dhe Shqipëria si dy shtete, as për afërsisht nuk i kanë shterruar mundësitë e bashkëpunimit, në këtë kuadër as partitë politike të të dyja shteteve”, ka thënë ai.
 
Basha, Veseli: Gazi lotsjellës s'është për në parlament, shembull që s'e ndjekim
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot nga Prishtina se gazi lotsjellës i përdorur nga opozita e Kosovës, nuk është për Parlamentin.  
 
Deklarata e Bashës u bë gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Kryetari i PD-së me këtë rast i bëri një vështrim edhe gjendjes politike në vendin tonë, ndërkaq, vlerësoi se opozita duhet të jetë më e përgjegjshme kundruall situatës së krijuar. “Gazi nuk është model për Parlamentin”, tha Basha, dhe shfaqi drojën se veprimet e opozitës do të krijojnë imazh të keq për vendin, duke penguar në rrugën e integrimeve.
 
Gjatë këtij takimi u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë, me theks të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit në ato fusha, në të cilat Shqipëria ka eksperiencë më të madhe, e që kanë të bëjnë me integrimet euroatlantike.
 
Kryeparlamentari Veseli, ndërkaq, vlerësoi lartë bashkëpunimin e deri tashëm ndërmjet të dyja vendeve dhe u shpreh i bindur se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

Basha, Mustafa: Bashkëpunim ndërpartiak mes LDK e PD
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndodhet këtë të enjte në Kosovë. Axhenda e liderit shqiptar të opozitës ka nisur me vendosjen e një kurore me lule në varrin e ish-residentit Ibrahim Rugova, për të vijuar empas me takimet politke me përfaqësuesit e lartë të qeverisë.

Basha është pritur në takim nga kryeministri i kosovës, Isa Mustafa me të cilin siç shkruajnë mediat kosovare është folur për bashkëpunim ndërpartiak me LDK-së dhe PD-së.

basha kosove

basha

basha

Po ashtu kreu i Partisë Demokratike është takuar edhe me Presidentin në ardhje Hashim Thaçi dhe atë aktuale Ahtifete Jahjaga si dhe me kreun e Kuvendit Kadri Veseli.

basha-jahjaga

Pjesë e axhendës së Bashës janë edhe homazhet në memorialin e ri kushtuar Epopesë së UÇK-së dhe Komandantit Adem Jashari si dhe do të takojë pjesëtarë të familjes Jashari.

Basha i ftuar për darkë në shtëpinë e Behgjet Pacollit
Behgjet Pacolli, politikani dhe biznesmeni kosovar ka bërë publike bisedat që këmbyer një ditë më parë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
 
Të mërkurën, Lulzim Basha ishte ftuar nga Pacolli në shtëpinë e këtij të fundit, ku dy politikanët kanë darkuar së bashku. Nëpërmjet një postimi në Facebook ditën e sotme, kreu i Aleancës Kosova e Re, e konsideron Bashën një mik të tijin. 

Statusi i plotë i Pacollit në Facebook
“Kosova ka probleme të mëdha pse i mungojnë institucionet, pse nuk arrin të tërheqë investitorë të huaj; pse nuk ka zhvillim ekonomik, pse i mungon vetëdijsimi i qytetarit për ndryshim. Këtë i thashë mes të tjerave mikut tim, kryetarit të opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha gjatë një takimi të mërkurën në mbrëmje në shtëpinë time.
 
Zhvillimi ekonomik është sikur ndriçimi në një mjedis problematik. Kur nuk ka zhvillim ekonomik, problemet e tjera si mungesa e institucioneve, e demokracisë sikur theksohen, ashtu sikundër nëse do të kishte zhvillim ekonomik, problemet e tjera do të ndiheshin më pak”, i nënvizova zotëri Bashës.

Nga ana e tij, kryetari Basha më njohu me vështirësitë që po kalon Shqipëria, duke konsideruar korrupsionin si problemin më të madh të shoqërive tona. Kryetari Basha më bëri një ekspoze të gjithë zhvillimeve të fundit në politikën e Shqipërisë dhe më përcolli ndjeshmërinë popullore, që sipas tij “ai po e prek në takime të shumta anembanë vendit.

E njoha gjithashtu Lulzim Bashën, me mesazhet e shumta të inkurajimit që më vijnë nga qytetarët për t’u kthyer fuqishëm në politikën e Kosovës. Mora prej tij si gjitha herët e takimeve tona vëllazërore, mbështetjen e tij dhe të Partisë Demokratike që ai udhëheq.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve