TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zbuluar 5 rregullat kryesore se si dhe kush do ta bëjë Vettingun në politikë. 

Sipas Bashës, Vettingu duhet të bëhet me mbikëqyrje nga ndërkombëtarët dhe të jetë krejtësisht i pavarur nga ai i drejtësisë duke mos përmendur sërish hetimin e familjarëve të politikanëve.

Kujtojmë që Basha është shprehur se vettingu i propozuar prej tij nuk pengon asnjë hetim ndaj familjarëve të politikanëve, ndërsa në draftin e dorëzuar nga opozita në Kuvend në asnjërën nga pikat nuk kërkohet një gjë e tillë.

Por dy liderët e partive më të mëdha opozitare Kryemadhi dhe Basha bien në kundërshtim sa i përket prezencës së ndërkombëtarëve. 

Kryemadhi ka dalë zyrtarisht kundër, pasi sipas saj, shteti shqiptar është shtet sovran dhe jo një protektorat i shteteve të mëdha.

Për çfarë jemi? Për protektorat apo vend i pavarur sovran? Sepse na kanë ardhur këta ndërkombëtarët , na janë bërë si me i pas nënë dhe babë, sikur ne të gjithë kemi lindur nëpër shtëpitë e fëmijëve.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së

5 RREGULLAT KRYESORE TË VETINGUT TË POLITIKANËVE

1. Vetingun e politikanëve NUK do ta bëjë politika, NUK do ta bëjë Kuvendi.

2. Struktura e vetingut do të përbëhet nga PROFESIONISTË TË PAVARUR nga politika.

3. Vetingu i politikanëve do të ketë MBIKQYRJE NDËRKOMBËTARE.

4. Vetingu i politikanëve do të jetë krejtësisht I PAVARUR nga ai i drejtësisë.

5. Vetingu i politikanëve do të jetë I THJESHTË dhe TRANSPARENT si dekriminalizimi, që nxori nga Kuvendi dhe zyrat e shtetit 333 persona me të kaluar kriminale