TIRANË, 23 Qershor /ATSH- I. Vata/-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në kuvendet zgjedhorë të demokratëve të Fierit dhe Patosit dhe ka shprehur bindjen se me votën e tyre, demokratët në mbarë Shqipërinë po zgjedhin dhe do të zgjedhin drejtuesit më të mirë të cilët do të jenë në lartësinë e duhur për të përfaqësuar alternativën e lirisë, zhvillimit, të nismës  së lirë, sundimit të ligjit, respektit  dhe dinjitetit të personit.
Po ashtu Basha, duke folur para demokratëve tha se  "do të zgjedhim njerëzit, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat që nesër Fieri dhe pasnesër mbarë Shqipëria, të thotë që këta që dinë të zgjedhin më të mirët në krye të familjes së tyre politike sot në opozitë, do të dinë të vënë në krye të shtetit dhe në postet publike njerëzit më të mirë nesër si shumicë dhe si qeveri".
Demokratët kanë folur e po vazhdojnë të flasin, për çfarë është bërë mirë e për çfare duhej bërë më mirë, po flasin për përgjegjësi por po nxjerrin dhe mësime tha Basha "duke shprehu bindjen se vetëm duke debatuar e diskutuar, PD, do të ecë e sigurtë në  rrugën e ringritjes, ribashkimit dhe rikthimit te fitorja në zgjedhjet  e ardhshme".
Gjithashtu, Basha u shpreh se"askush nuk mund t'ju mbyllë gojën demokratëve, askush nuk mund t'ju mbajë dorën apo t'ju tregojë se për kë të votojnë e për kë jo. Nëse mbajmë gojën për shkak të frikës, indiferentizmit, konformizmit, servilizmit, nëse nuk i themi hapur gjëra që kemi për t'i thënë, nese nuk i shkëmbejmë këto pikëpamje me besim të madh tek vlerat e debatit të lirë, nuk do të dalim më të bashkuar nga kjo sallë. Bashkimi i heshtur nuk është bashkim. Bashkimi i vertetë është ai që flet, bubullin përmes debatit të lirë, përmes diskutimit të lirë ku nuk mbetet asgjë pa u thënë por asgjë që nuk vlen"./a.g/