TIRANE- Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së Sali Berishës. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, kryebashkiaku Basha ka theksuar se askush nuk e zëvendëson dot Berishën, pasi ai mbetet lideri historik. Duke shprehur keqardhje për humbjen e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 23 qershorit, Basha tha se ky është një moment reflektimi për çdo demokrat për të ringritur dhe forcuar PD.
 
“Sot familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për ketë Fillim të Ri. Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me kryeministrin Berisha jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellëta të jetës time. Vendimin për të kandiduar për kryetar të PD”, u shpreh Basha.
 
Ndërsa vijoi me tej “Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka patur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajës për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar. Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik,dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegjia e PD. Demokratike. Por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar europiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment”.

Duke i ftuar të gjithë demokratët dhe demokratët të punojnë për ringritje dhe fitoren e PD, Basha tha se OD do të ndërtojë një sistem të meritës, për njohjen e kontributeve të çdo anëtari.
 
“Në projektin tonë të Fillimit të Ri PD duhet dhe do të mbështetet fort tek ju anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite. Burra dhe gra gjigantë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Për mua, në pikënisje dhe themel të Fillimit tonë të ri duhet dhe do të jetë ndjeshmëria absolute për zërin tuaj dhe përgjegjshmëria e lartë për ta dëgjuar, respektuar dhe kthyer atë në moto të veprimit tonë politik. PD duhet dhe në pikëpamjen time do të ndërtojë një sistem të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e çdo anëtari. Kësaj duhet t’i paraprijë një analizë e drejtë, e vërtetë dhe me përgjegjësi, para dhe pas çdo procesi zgjedhor. Kjo kërkon evidentimin e plotë të gjithë potencialit tonë njerëzor, të të gjithë kontributit historik të anëtarësisë tonë në vite, dhe angazhimin pa asnjë hezitim, pa asnjë pengesë të këtij potenciali, i cili i vënë në punë me eficencë, përbën një forcë të pathyeshme njerëzore siç demonstrojnë edhe fushatat tona fituese”, tha Basha.
 
Basha tha se garon për kreun e ri të PD me qëllim ringritje dhe forcimin e kësaj force politike, duke u mbështetur tek lidershipi i Berishës. Ndërsa theksoi se në vizionin e tij synon bashkëpunimin me të gjithë grupet e interesit. Basha theksoi se do të punojë fort për të ringritur PD-në në mënyrë që kjo forcë të jetë një zë i fortë në Parlament.
 
Ne do të ndërtojmë instrumentet dhe forumet e një komunikimi dhe bashkëpunimi te hapur dhe të përhershëm me shoqërinë civile, botën akademike, sipërmarrësit shqiptarë të biznesit te vogël dhe te mesëm, dhe gjithë grupet e tjera te interesit. Në vizionin tim, kjo është një vlerë e shtuar dhe garanci për suksesin e projektit tonë të Fillimit të Ri.
 
“Unë do të punoj fort që PD, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do të vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin. Një tjetër shtyllë e rëndësishme e aksionit tonë politik janë dhe përfaqësuesit tanë të zgjedhur të pushtetit vendor. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me ta duhet dhe do të jetë një konstante e punës tonë dhe një levë e fuqishme e projektit tonë të ri politik. Unë do të përkushtohem për një bashkëpunim të hapur dhe të fuqishëm me të gjithë aleatët tanë si dhe me çdo faktor që është gati të kontribuojë sot në opozitë. E djathta e bashkuar është, besoj unë, një vlerë jo vetëm për PD por për interesin publik sot, dhe për rikthimin tonë si mazhorancë nesër”, u shpreh kryebashkiaku.
 
Më tej, Basha theksoi se PD do të punojë për vijimin e projekteve të nisura nga qeveria Berisha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)