TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një angazhim global në luftën ndaj krimit, pasi siç tha ai, krimi i organizuar nuk është shqiptar, por ka efekt global. “Le ta pranojmë që krimi i organizuar është shumë më i bashkuar sesa Europa e Bashkuar, nuk ka burokraci, nuk ka Komision, nuk ka Benchmark-e, nuk ka procese që e pengojnë për t’u integruar dhe është kaq i globalizuar, saqë sot është e pamundur që të gjesh një organizatë kriminale me një nënshtetësi.

Në Shqipëri nuk ka krim të organizuar shqiptar, por ka krim të organizuar ndërkombëtar, që ka edhe një degë të vetën në Shqipëri”, nënvizoi kryeministri. Ndaj ai shtoi se për këtë arsye integrimi është i domosdoshëm dhe për këtë arsye Shqipëria i duhet Bashkimit Europian brenda dhe për këtë arsye Ballkani i duhet Bashkimit Europian brenda, në mënyrë që ndërveprimi në luftën kundër krimit të organizuar të jetë një ndërveprim pa kufij, ashtu siç krimi i organizuar nuk ka kufij.

Në lidhje me faktin se shpesh shqiptarët janë të përfshirë në rrjete kriminale, Rama theksoi faktin se ata kanë aftësinë të mësojnë dhe të komunikojnë në shumë gjuhë të huaja. “Po të shohësh komunikimet dhe numrat e telefonit të lidhura me rrjetin kriminal, ato kanë shumë prefikse. Shqiptarët kanë edhe aftësinë që flasin shumë gjuhë në të njëjtën kohë, kështu që për këtë arsye janë më të preferuar, nganjëherë më shumë se të tjerët, për t’u përfshirë në këto forca e mëdha të krimit”, nënvizoi dje Rama. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)