TIRANE - Një ndër personat e marrë në pyetje pas atentatit mafioz ku mbeti i vrarë me breshëri Kallashnikovi Dritan Lamaj, ka qenë dhe bashkëshortja e tij, Anila.

Në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, gruaja është marrë në pyetje nga oficerët policorë pak orë pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vrarë i shoqi. Në një gjendje të rëndë psikologjike, gruaja ka rrëfyer mes lotëve problemet dhe kërcënimet e të shoqit përgjatë dy viteve të fundit.

Burime të besueshme pranë grupit hetimor edhe pse shprehen të rezervuar në lidhje me dhënien e detajeve, pohojnë se dëshmia e bashkëshortes së Lamajt konsiderohet si një dëshmi e rëndësishme për hetimet.

Ajo mësohet të ketë treguar të gjitha konfliktet që bashkëshorti Dritani, ka pasur për shkak të detyrës. Kërcënimet e marra në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me anë të telefonit, kanë qenë një pjesë e konsiderueshme e pyetjeve të oficerëve drejtuar Anilës. Konfliktet më të rëndësishme dhe më serioze gjatë punës të të shoqit, duket se kanë qenë të njëjtat raste të bëra publike dhe në media.

Ajo ka rrëfyer gjatë marrjes në pyetje problemet me biznesmenët e përfolur dhe në media, njëri prej tyre edhe i ndaluari në Selanik të Greqisë, i dyshuar nga policia si një prej autorëve të ekzekutimit. Emri i Arben Frrokut, si dhe përplasjet apo konfliktet gjatë punës, kanë qenë të njohura me detaje nga ana e Anila Lamajt.



Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 27 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)