Tiranë, 23 Qershor / ATSH - K.Musabelliu / - Galeria Kombëtare e Arteve ka nisur një bashkëpunim konkret me Muzeun e Artit "Ningbo", i cili mban emrin e qytetit Ningbo në Kinë.
Gjatë një vizite gjashtë ditore pune në Kinë, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin e këtij muzeu, Licheng Han.
Në saj të këtij bashkëpunimi GKA dhe artistët shqiptar do të bëhen pjesë e shkëmbimeve artistike e kulturore, të cilat do të realizohen përmes ekspozitave të anasjellta në të dy muzetë, por edhe rezidencave artistike.
Z.Artan Shabani dhe Z. Han
Drejtori i Muzeut të Artit "Ningbo", Z. Han shprehu kënaqësinë e tij, por edhe në emër të publikut tepër të interesuar kinez mbi ekszpozitën që do të përfaqësojë artin shqiptar në këtë muze.
Bashkëpunimi i Galerisë Kombëtare të Arteve me Muzeun e Artit "Ningbo" në Kinë ka si qëllim dhe do të shërbejë për trajnimin e restauratorëve në teknika të ndryshme, si letra, druri, apo pëlhurat, teknika të zhvilluara nga restauratorët kinez, por ende në një stad inferioriteti në vendin tonë.
Vizita e punës e Drejtorit të GKA në Ningo, u krye në kuadër të një bashkëpunimi që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Kinë ka nisur me qytetin e Ningbo, një nga provincat më të zhvilluara në Kinë sa i takon industrisë dhe ekonomisë. Hapi i parë konkret i këtij bashkëpunimi ishte Panairi ekonomik në Ningbo, ku Shqipëria u përfaqësua me një pavion të posaçëm. Përmes këtij pavioni bizneset shqiptare promovuan produktet dhe shërbimet shqiptare duke nisur nga fusha e turizimit e deri tek prezantimi i disa lloje verërash. Trashëgimia kulturore dhe agrokultura shqiptare ishin pasqyruar edhe në katalogun e këtij panairi.
Për herë të parë me nismën e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Kinë Z. Idriz Çelmeta, Galeria Kombëtare u ftua të jetë pjesë edhe e shkëmbimeve kulturore dhe artistike, prandaj Galeria Kombëtare e Arteve shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri - Kinë, e cila e bëri të mundur këtë bashkëpunim që pritet të vazhdojë./a.g/