TIRANE- Dy programe të reja studimi për “Arkitekturë dhe Inxhinieri Ndërtimi”, si dhe “Inxhinieri Mjedisi”, janë prezantuar sot në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Degët e reja do të aktivizohen për herë të parë në këtë universitetit në fillim të vitit akademik 2014-2015 dhe do të vijnë si produkt i një bashkëpunimi të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” me Universitetin e Firences, të realizuara nëpërmjet Departamenteve përkatëse.
 
Prof. Tiziano Salvaterra, zv/rektor i Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” shpjegoi qëllimin e këtij bashkëpunimi.
 
“Ky është një moment i rëndësishëm për Universitetin Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", pasi shton mundësitë për studime këtu. Pas kurseve që kemi pasur deri tani sot po shtojmë edhe dy projekte të reja, mbi të cilat universiteti ynë, ka ndërmend të investojë shumë. Ne po vendosim sot një bashkëpunim shumë të rrëndësishëm me një universitet të një niveli të lartë të Itali siç është ai i Firences. Që prej një viti një grup pune i përbashkët po studion mundësinë e organizimit të kurseve të studimit të lartë në Arkitekturë dhe Inxhinieri Ndërtimi, si dhe në Inxhinieri Mjedisi, ku do të ketë edhe një diplomim të dyfishtë që do të vlejë në të dyja shtetet”, u shpreh profesor Tiziano Salvaterra.

Në një intervistë për "A1 Report" dy nismëtarët e këtij projekti, Prof. Claudio Borri, Dekan i Inxhinierisë në Universitetin e Firences dhe Prof. Saverio Meça, Dekan i Arkitekturës, i të njëjtit Universitet, thanë se bashkëpunimi do të jetë afatgjat dhe synon të integrojë si docentë edhe studentët që kanë përfunduar fakultetin në Firence për këto degë.
 
“Janë dy kurse të reja në brendësi të një fakulteti që do të quhet "Fakulteti i Shkencave të Aplikuara". Kursi që po merrem unë është një kurs i nivelit të parë, sipas marrëveshjes së Bolonjës, në Inxhinieri Civile dhe Ambientale. Kjo do të thotë se në tre vite do të jetë një formim i cili do tu jepet teknikëve që duhet të veprojnë në një spektër të gjerë, sipas teknologjive më moderne në sektorë si: Infrastruktura, burimet ambientale, mbrojtja e miedisit, apo në inxhinierinë e ndërtimit. Ajo që ne duam të japim është eksperienca dhe përgatitja e gjerë në sektorë të rëndësishëm si përdorimi teritorial dhe i ndërtesave, zhvillimi i infrastrukturës, energjisë së rinovueshme, përdorimin e ndërtesave me konsum të ulët të energjisë, apo dhe përdorimin e vendit, ujit dhe hapësirës sipas kritereve të ruajtjes së ambientit. E gjitha kjo synon që të diplomuarit në këto disiplina në sistemin 3-vjeçar të mund të zgjedhin më tej një master të një niveli më të specializuar si në Infrastrukturë, Transport, Planifikim Teritorial, ose në Ndërtim” tha Dekani i Inxhinierisë në Universitetin e Firences, profesor Claudio Borri.
 
Ndërsa Dekani i Arkitekturës në Universitin e Firences, Saverio Mecca u shpreh “Aktualisht kemi rreth 100 studentë në kurset e Arkitekturës që kanë ardhur nga Shqipëria. Kur ata të kthehen në Shqipëri do të jenë të formuar. Për këtë kemi ngritur dhe këtë bashkëpunim mes universitetit tonë dhe atij Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", që do të sjellë një kurs të Arkitekturës dhe që do të jetë i modeluar sipas atij të Firences, shumë i ngjashëm por jo i njëjtë pasi është kërkuar që të përmirësohet. Kjo u lejon edhe studentëve në Shqipëri që të vijnë dhe të bëjnë specializimin në Firence. Por ne do të sigurojmë edhe mbështetjen për docentët që kanë mbaruar studimet në Firence dhe që duhet të integrohen këtu. Kjo besoj se do të forcojë edhe më tej raportet mes nesh dhe do të bëjë që ky fakultet të jetë një degë e Firences në Tiranë. Pastaj plani është që ky fakultet të rritet dhe të ecë në mënyrë autonome, por për këtë do të duhen vite dhe persona të mirëformuar. Për këtë ne shpresojmë më shumë tek të diplomuarit që kanë studiuar në Itali dhe që në vitet pasuese do të jenë edhe profesorati i këtij fakulteti. Kjo do të jetë vetëm nisja e një procesi që do të ketë një kohë të gjatë, pasi të diplomuarit e parë do të duan të paktën 5-6 vite, në një kohë që zhvillimi i kësaj shkolle kërkon minimalisht 11 vjet".
 
Degët e reja janë konceptur si binjake të homologeve që zhvillohen në Universitetin e Firences. Bashkëpunimi bën të mundur lëshimin e një titulli të dyfishtë, nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universiteti i Firences.
 
Titulli i dyfishtë dhe ky formim bashkëkohor i jep të drejtën të diplomuarit të konkurrojë në tregun e punës në Shqipëri, në Itali dhe në çdo vend tjetër të Bashkimit Europian.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)