DURRËS- Familjet në qytetin e Durrësit po paguajnë më shtrenjtë për gjelbërimin. Taksa e gjelbërimit, që reflektohet çdo muaj në faturën e ujit, është rritur nga 200 lekë që ishte për familjet në qytet, në 1000 lekë në vit.

Ndërsa familjet në fshat paguajnë 500 lekë në vit, ndërsa më herët vlera ishte e papërfillshme, 50 lekë.

"Është rritur, normalisht me këto rritjet e çmimeve të gjithë kanë qejf ta rrisin”, tha një qytetar.

“Është e vështirë, po ça të bëjmë ne të shkretët”, tha një tjetër.

“Ku ia dalim ne, po a kemi gjë në dorë ne, s’kemi”, u shpreh qytetari.

“Kemi vështirësi në pagimin e faturave”, tha një tjetër.

Rritjen e taksës Bashkia e justifikon me shtimin e hapësirave të gjelbra. Pemët që po mbillen aktualisht në qytet janë prokuruar përmes tenderit të zhvilluar në muajin tetor 2021, i cili u fitua nga kompania ALBGarden shpk në vlerën 14. 300.000 lekë. Me vlefshmëri nga marsi në prill, përmes këtij tenderi parashikohet të mbillen në total 505 pemë, mes tyre palma të llojit "Ëashingtonia Robustra".  

"Aktualisht ndërmarrja "Rruga" po operon për mbjelljen e pemëve të vitit të kaluar, janë gjithsej 13 produkte që janë palmat, oleandra, magniolia bli, rrap. Deri tani janë mbjellë 120 palma në rrugën Pavarësia, 13 copë në bulevard dhe 5 copë në shëtitoren Taulantia",  tha Drejtori i Ndërmarrjes "Rruga" pranë Bashkisë së Durrësit Alion Hysko

Por në 3 vitet e ardhshme, siç premtoi edhe gjatë fushatës elektorale, kryebashkiakja Emirjana Sako në Durrës pritet të mbillen 15 mijë pemë, përmes 3 tenderave të tjerë me vlerë deri në 150 milionë lekë në total.

"Bashkia e Durrësit po kryen procedurë për vitin 2022, diku 40 milionë lekë, 2023 50 mln dhe 2024 60 mln lek. Objektivi i Bashkisë 15 mijë pemë deri në 2024", tha  Hysko.