TIRANE- Miratohet vetëm me votat e mazhorancës buxheti për Bashkinë e Tiranës për vitin 2014. Përfaqësuesit e majtë kanë gjetur si zgjidhje rivotimin e këtij buxheti, por duke përjashtuar fondin e shpronësimeve për banorët e shtëpive, ku do të kalojë Bulevardi i ri i Tiranës. Ndërkohë opozita e kundërshtoi këtë vendim, dhe nuk e shprehu vullnetin e saj me votë.
 
Buxheti
Bahskia e Tiranës ka tashmë buxhetin e saj, por pa projektin dhe fondin e shpronësimeve për Bulevardin e Ri. Këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar vetëm me 29 votat e të majtëve, që të ndajë projektin e shpronësimeve të Bulevardit të Ri, nga projektbuxheti i bashkisë. Që do të thotë se nga ky moment, bashkia e Tiranës do të mund të bëjë investimet, ndërsa do të të rishikojë edhe shumën prej 580 mln lekësh të lënë në dispozicion të shpronësimeve. Kërkesa ka ardhur nga të majtët, pasi pjesa e projektbuxhetit që përcaktonte vlerën e shpronësimeve, ishte kthyer për rishikim nga Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ndërsa të djathtët kanë këmbëngulur se kjo bëhet vetëm për arsye politike.

Kjo ka bërë që për më shumë se tre orë mazhoranca dhe opozita të debatojnë në lidhje me marrjen e këtij vendimi. “Unë po them se jemi gati ta rikorrigjojmë, në bashkëpunim me ju por duhet të jemi edhe ne sepse juridikisht propozimi vjen nga ne dhe kur vjen këtu zotërinj nuk mund të vijë një buxhet i zhbalancuar, nuk është buxhet faktik që mund ë dalë me suficit apo deficit, është një projekt – buxhet, është i propozuar dhe siç u propozua nga ne dhe u korrigjua në bashkëpunim me palët, mund të ndjekim përsëri të njëjtën rrugë kompromisi” është shprehur gjatë fjalës së tij nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo. Ndërkohë që këshilltarët e mazhorancës kanë theksuar se vendimi i tyre mbështetet në letrën e prefektit, ndaj edhe kanë kërkuar revokim të pjsshëm e të vendimit të marrë dy muaj më parë për buxhetin.

“Ne kërkojmë revokim të pjesshëm të vendimit të marrë dy muaj më parë, dhe kjo ka të bëjë pikërisht me pjesën e buxhetit që lidhet me shpronësimet e zgjatimin e Bulevardit të Ri të Tiranës dhe Lumit të Tiranës” ka pohuar Eridian Salianji, këshilltar i mazhorancës. Sipas tij, votimi i pjesshëm i buxhetit do ti japë mundësi bashkisë së Tiranës të nisë investimet por edhe të punojë mbi buxhetin e shpronësimeve i cili do të miratohet në një mbledhje tjetër.
 
Vendimet
Këshilli bashkiak gjatë mbledhjes së djeshme ka ka miratuar edhe katër vendime të tjera në unanimitet. Vendimet kishin të bënin me përcaktimin e qerasë për banesat sociale, miratimin e fondit por dhe të projektit në ndihmë të SME-ve. Po kështu një tjetër vendim kishte të bënte me dhënien në përdorim të godinës së ish Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme të Tiranës, Gjykatës Administrative të Apelit si dhe miratimi i listës së pronave të Paluajtshme Shtetërore për të cilat Bashkia e Tiranës kërkon transferimin në pronësi të saj si dhe Krijimin e Këshillit Artistiko- Kulturor dhe shpërblimin e anëtarëve të tij. 

Shkrimi u publikua sot 1 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)