TIRANE- Bashkia e Tiranës nëpërmjet një njoftimi për shtyp informon se është tërhequr qumështi me aflatoksinë nga kopshte dhe çerdhet e Tiranës.

Ja njoftimi për shtyp i bashkisë së Tiranës, 27 shkurt 2013

"Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të fëmijëve ka furnizuar çerdhet dhe kopshtet e Tiranës që ka në administrim, me produkte ushqimore, përfshirë dhe qumështin, të çertifikuar dhe të paisur me analizat përkatëse nga laboratori i AKU, sipas standardeve në fuqi.

Nisur nga shqetësimet e ditëve të fundit për disa marka qumështin, bëjmë me dije se në të gjithë rastet, përdorimi i qumështit në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës është paraprirë nga analizat e realizuara nga AKU. Raportet e këtyre analizave e përcaktojnë qumështin e përdorur të parametrave e standardeve të miratuara për konsum.

Pavarësisht këtij fakti, deri në sqarimin e plotë të kësaj situate të krijuar, Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ka ndërprerë menjëherë furnizimin e çerdheve e kopshteve me të gjithë llojet e qumështit që janë përmendur në media dhe nga institucionet kontrolluese, “Primalat”, duke tërhequr dhe të gjithë sasitë që ndodheshin në çerdhe e kopshte.

U është kërkuar institucioneve përkatëse, kryerja e analizave për qumështin në tregun tonë, në mënyrë që të tërhiqet për konsum ai produkt që është i standardeve të miratuara për konsum. Vetëm pasi të kemi në dispozicion raportin e institucioneve të specializuara për analizat e produkteve ushqimore, Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve do të autorizojë tërheqjen e qumështit të shëndetshëm për fëmijët."

(sg/shqiptarja.com)